Nëse një qytetar ka 100 euro borxh për tatim në pronën e paluajtshme dhe nuk e shlyen deri më 30 shtator, vetëm një ditë më vonë, ai do të gjobitet automatikisht me 10 përqind të shumës së tatimit të papaguar, përkatësisht 10 euro. Por, kjo nuk është e tëra, pasi ndaj tij do të aplikohet dënim tjetër me interes prej 0.56 % nga tatimi i papaguar për secilin muaj të vonuar, shkruan Gazeta Sinjali.
E tërë kjo politikë tatimore është aplikuar prej kohësh në Kosovë, përkundër mungesës së informimit të duhur për publikun e gjerë dhe tatimpaguesit veç e veç, duke bërë që shumë qytetarë të bien pre e këtij “kurthi” zhvatës të ngritur nga shteti.
Përkundër tatimeve edhe ashtu të larta të cilat janë rritur nga viti në vit, përmes kësaj forme ndëshkimi, shteti i Kosovës sikurse bankat komerciale, po i detyron qytetarët të futen në borxhe ndaj tij dhe të paguajnë kamatë mujore si ndëshkim për vonesë të pagesës së tatimit.
Por, ndryshe nga klienët e bankave që marrin para si kundërvlerë për kamatë, qytetarët përveç që dënohen shumëfish, ndodhë që të mos u kthehet as në të mirë materiale tatimi dhe dënimi i paguar.
Kjo formë e fajdesë së shtetit të Kosovës ndaj qytetarëve të vetë po aplikohet përkundër gjendjes së rëndë ekonomike e sociale në vend dhe shkallës së lartë të papunësisë, e cila vjen si pasojë e keqqeverisjes dhe nivelit të lartë të krimit dhe korrupsionit në vend gjatë dy dekadave të pasluftës, shkruan Gazeta Sinjali.
Në vend të stimulimit të qytetarëve dhe vjeljes së shumës reale të tatimit në pronë përmes detyrimeve, shteti po aplikon padrejtësisht masa të shumëfishta ndëshkuese, të cilat gjejnë mbështetje në Ligjin Nr.06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme të miratuar nga pozitë e opozitë në Kuvend.
E pyetur rreth kësaj cështjeje, Ministria e Financave këtë formë të ndëshkimit nuk nuk e quan kamatë, por si veprime të ndryshme për detyrim të qytetarëve.
“Që qytetaret të paguajnë me kohë”, thuhet në përgjigjen Ministria e Financave për Gazetën Sinjali.
Gazeta Sinjali, për këtë çështje ka dërguar pyetje edhe tek Avokatit të Popullit. Por, ky institucion nuk ka qëndrim nëse kjo çështje shkel të drejtat e njeriut duke u arsyetuar se deri më tani nuk ka pranuar asnjë ankesë lidhur me interesin që po aplikohet ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka pranuar asnjë ankesë që lidhet me gjobat për shkak të mospagesës së tatimit mbi pronën e paluajtshme. Institucioni i Avokatit të Popullit nuk mund të japë përgjigje hipotetike për rastet të cilat nuk ka pranuar ankesë dhe as nuk i ka shqyrtuar dhe hetuar. Në fund, Avokati i Popullit konsideron se qytetarët duhet t`i përmbahen dispozitave ligjore të cilat përcaktojnë detyrimet e qytetarëve ndaj shtetit”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit për Gazetën Sinjali.
Interesi dhe gjoba mbi tatimin në pronë parashihet me nenin 25 dhe me paragrafin 6 të nenit 35 të Ligjin Nr.06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme i cili lejon këtë padrejtësi ndaj qytetarëve. Aty thuhet se Interesi aplikohet mbi tatimin e papaguar në një normë e cila është e barabartë me mesataren e normës vjetore të përcaktuar dhe publikuar nga Ministria e Financave, për vitin para vitit tatimor.
“1. Interesi aplikohet mbi tatimin e papaguar në një normë e cila është e barabartë me mesataren e normës vjetore të përcaktuar dhe publikuar nga Ministria e Financave, për vitin para vitit tatimor.
2. Interesi llogaritet në baza mujore nga data kur duhet të paguhet tatimi deri në muajin kur paguhet tatimi”.
“6. Tatimpaguesi i cili nuk e paguan tatimin në pronën e paluajtshme në datën ose para datës së fundit për pagesë i vendoset gjobë në një shumë që është e barabartë me dhjetë përqind (10%) të tatimit të papaguar.
Deri vitin e kaluar afati i fundit vjetor për pagesën e tatimit në pronë ka qenë deri më 31 dhjetor, por prej sivjet ky afat është është shkurtuar duke u zhvendosur më 30 shtator. Sipas Ministrisë së Financave shkurtimi i kohës për pagesën e tatimit në pronë është bërë për shkak të planifikimit të buxhetit komunal si dhe shfrytëzimit të të hyrave nga tatimi në pronë për investime brenda vitit.
“Pagesa e tatimit në pronë bëhet në dy këste: kësti i parë deri me 30 Prill, ndërsa kësti i dytë deri me 30 Shtator. Afatet e pagesës këtë vit kanë ndryshuar bazuar në Ligjin e ri të tatimit në pronë dhe kjo është bërë me aprovim nga Kuvendi i Kosovës dhe me kërkesë dhe miratim të komunave, ku qëllimi ishte që të përmirësohet planifikimi i buxhetit të komunave dhe shfrytëzimi i të hyrave nga tatimi në pronë për investime brenda vitit që mblidhen”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave për Gazetën Sinjali.
Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali se deri në fund të muajit gusht nga tatimi në pronë ka grumbulluar mbi 5 milionë e 180 mijë euro (5,182, 139.45€). Zyrtarët e kësaj komune thonë se vazhdimisht bëjnë përpjekje që t`i informojnë qytetarët që ta paguajnë me kohë tatimin në pronë në mënyrë që ta shmangin gjobën dhe interesin.
Gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë mbledhur mbi 24 milionë euro nga tatimi në pronën e paluajtshme ose 8% më shumë sesa nga viti 2017./Gazeta Sinjali/