image Pushohen nga puna rreth 30 punëtorë të aeroportit "Adem Jashari", s'e dinë pse

Kosovë

Konfirmim/ Pushohen nga puna rreth 30 punëtorë të aeroportit “Adem Jashari”, s’e dinë pse

news image

Rreth 30 punëtorë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari” janë larguar nga puna këtë javë.

Pa shpjegim dhe pa asnjë arsye të deklaruar, menaxhmenti i aeroportit “Adem Jashari” ka vendosur që të mos ua vazhdojë atyre kontratat e punës, raporton Gazeta Sinjali.

Kësisoj, nga përjashtimi nuk janë kursyer as punëtorët që kanë shërbyer rreth 20 vjet në aeroportin e Prishtinës.

Pushimin e punëtorëve nga puna, zëdhënësja e ANP “Adem Jashari”, Valentina Gara nuk ka pranuar ta quajë “largim”.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me ‘Largim’ por me ‘Mosvazhdim të Kontratave’ të 28 punonjësve”, ka thënë Gara për Gazetën Sinjali.

Menaxhmenti, sikurse punëtorëve të larguar, as Gazetës Sinjali nuk ia ka dhënë ndonjë arsye për këto mosvazhdime të kontratave.

Sindikata e aeroportit “Adem Jashari” dhe disa punëtorë besojnë se pjesëmarrja e tyre në grevë në gusht të vitit të kaluar është arsyeja për largimin e tyre nga puna. Këto pretendime i ka mohuar zëdhënësja e aeroportit, duke thënë se nuk kanë pasur ndonjë listë të punëtorëve grevistë.

“Nuk ka te bëjë me pjesëmarrje apo mospjesëmarrje në greva meqenëse asnjëherë nuk kemi pranuar ndonjë listë me emra të punonjësve pjesëmarrës në grevë nga Sindikata”, ka thënë Gara, duke mos treguar arsyen.

Disa punëtorë të aeroportit “Adem Jashari” kishin protestuar e kishin mbajtur greva në gusht të vitit të kaluar shkaku i pakënaqësive për trajtimin.

Kërkesat e punëtorëve ishin shtesat e rrezikshmërisë për detyra me ekspozim direkt në dëmtim të shëndetit, pushimi vjetor, eliminimi i dallimeve në paga për punën e njëjtë, si dhe shujta. /Gazeta Sinjali/