image Pushimi nga puna i punëtorëve të aeroportit, intervenon Inspektorati i Punës

Kosovë

Hetim/ Pushimi nga puna i punëtorëve të aeroportit, intervenon Inspektorati i Punës

news image

Inspektorët e Inspektoratit të Punës janë duke e hetuar pushimin nga puna të rreth 30 punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”.

Ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit, Valon Leci, në një prononcim për Gazetën Sinjali ka thënë se inspektorët e punës po e inspektojnë situatën e krijuar në aeroportin “Adem Jashari”.

“Edhe unë dje e kam marrë prej mediave lajmin, por megjithatë inspektorët e punës janë në procedurë inspektimi në aeroport, d.m.th. këtyre ditëve janë duke iskpektu. Natyrisht që do të përfshihet edhe kjo çështje. Informacion zyrtar ende nuk kam”, ka thënë Leci.

Pa shpjegim dhe pa asnjë arsye të deklaruar, reth 30 punëtorë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari” janë larguar nga puna këtë javë. Menaxhmenti i aeroportit “Adem Jashari” ka vendosur që të mos ua vazhdojë atyre kontratat e punës.

Pushimin e punëtorëve nga puna, zëdhënësja e ANP “Adem Jashari”, Valentina Gara nuk ka pranuar ta quajë “largim”.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me ‘Largim’ por me ‘Mosvazhdim të Kontratave’ të 28 punonjësve”, ka thënë ajo.

Punëtorët e pushuar nga puna besojnë se pjesëmarrja e tyre në grevë në gusht të vitit të kaluar është arsyeja për mosvazhdimin e kontratave të tyre të punës. /Gazeta Sinjali/