Sonte dhe nesër mbrëma do të mbahet Festivali Rock United në Amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë. Rock United është projekt që bashkon grupet e muzikës rock dhe fansat nën moton “Një për të gjithë, të gjithë për rock”.
Qëllimi kryesor i këtij festivali është që të vazhdojë tradita e rokut, e cila në Kosovë ka fillet tek vitet e gjashtëdhjeta dhe të promovohet kjo kulturë tek të rinjtë, me pjesëmarrje më të madhe të bendeve të reja, duke përfshirë të gjitha komunitetet në Kosovë.
Gjatë 2 mbrëmjeve të festivalit në Gërmi do të marrin pjesë 12 grupe nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, duke u zgjeruar me bende ndërkombëtare në vitet në vijim.
MBRËMJA E PARË:
The Mole Pack, Zwada, Vini e Veni, Gillespie, Purgatory, kurse për mbylljen e natës së parë janë grupi legjendar kosovar Grupi 403, për të cilët kjo natë do të jetë kulminacioni i karrierës së tyre.
MBRËMJA E DYTË:
Proximity Mine, Jutbina, Këpurdhat, Trampolinë, PeterPan Quartet, dhe natën e dytë të festivalit do ta përmbyllë grupi i njohur Elita 5, të cilët i rezistuan kohës për 30 vite, duke i qëndruar besnikë muzikës rock, me shumë hite të njohura dhe performanca të paharruara.