image Pupovci flet për Sinjalin: Dorëheqjen nuk e kam ofruar ende, në fund të vitit do të tërhiqem

Arsim

Pupovci flet për Sinjalin: Dorëheqjen nuk e kam ofruar ende, në fund të vitit do të tërhiqem

news image

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se së shpejti do të japë dorëheqje nga kjo pozitë.

Ai tha se arsyet janë personale dhe se dorëheqjen do ta dorëzojë në fund të këtij viti.

“Është e vërtetë se kam planifikuar që deri në fund të vitit 2022 të tërhiqem nga posti i zëvendësministrit të MASHTI dhe këtë ja kam komunikuar Ministres Nagavci dhe Kryeministrit Kurti në tetor. Arsyet janë të natyrës personale. Për korrektësi, dorëheqjen formale nuk e kam paraqitur akoma, por këtë do ta bëj në kohën e duhur, kur t’i përfundoj edhe disa punë që i kam filluar dhe në koordinim me Ministren e Kryeministrin. Edhe pasi të jem larguar nga posti i tanishëm do të mbetem aktiv në fushën e arsimit”, tha Pupovci në një përgjigje me shkrim për Sinjalin.

Ndryshe, njohësi i çështjeve të arsimit, ishte emëruar zëvendësministër në prill të vitit 2021.

Pupovci është profesor universitar dhe ekspert i arsimit tashmë e disa vite. Ai shkollën fillore dhe atë të mesme i mbaroi në Prishtinë.

Studimet e matematikës i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN) të Universitetit të Prishtinës, kurse studimet pasuniversitare të magjistraturës në fushën e matematikës aplikative i përfundoi në Universitetin e Zagrebit, duke mbrojtur temën e magjistraturës me titull “Konvergjenca e metodave paralele për reduktimin e normës”.

Disertacionin e doktoratës me titull “Paralelizimi i disa metodave të tipit të Jakobit për zgjidhjen e problemit të vlerave vetjake” e mbrojti në FSHMN të Universitetit të Prishtinës.

Pupovci ka kontribuar në zhvillimin e dokumenteve të rëndësishme të politikave dhe është bashkautor i studimeve e artikujve në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor në Kosovë. Nga marsi i vitit 2000 ka qenë drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC), organizatë joqeveritare e specializuar në fushën e arsimit.

/GazetaSinjali/