image Pupovci fiton pikë Olimpike në garën e Kollashinit, i afrohet normës Olimpike Beijing 2022

Sporte të tjera

Pupovci fiton pikë Olimpike në garën e Kollashinit, i afrohet normës Olimpike Beijing 2022

news image

Skitari i Kosovës, Arbi Pupovci, ka përfunduar me sukses misionin e tretë drejt arritjes së pikëve të nevojshme Olimpike për Lojërat Olimpike Dimërore (LOD) Pekin 2022.

Pupovci ka garuar dje dhe sot në disiplinën e sllallomit në Kollashin të Malit të Zi, garë kjo e Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS). Derisa të mërkurën është diskualifikuar, Arbi sot ka dalë i 15-ti nga 40 garues, ku 13 nuk arritën t’i përfundojnë të dyja lëshimet. Gjithësej shtete pjesëmarrëse janë 13, ka njoftuar Komiteti Olimpik i Kosovës, transmeton Sporti në Sinjali.

Pupovci pati kohën 1 minutë, 49 sekonda e 92 të qindtat nga të dyja lëshimet. Sipas trajnerit të tij, Agim Pupovci, me renditjen e sotme, Arbi ka kompletuar edhe garën e tretë me pikë të nevojshme Olimpike .Për ta arritur normën Olimpike në këtë disiplinë, Arbit i duhen edhe dy rezultate përafërsisht të ngjashme nga garat e ardhshme të sllallomit. Muajin e kaluar, Arbi rezultate të mira arriti në Palandoken të Turqisë. Ai është bursist Olimpik i KOK-ut për LOD Pekin 2022.

Në Kollashin po marrin pjesë edhe Drin Kokaj, Kiana Kryeziu dhe Arba Pupovci. Kokaj, 17-vjeçar sot nuk ka arritur të përfundojë lëshimin e dytë, ndërsa një ditë më parë pati paraqitje të mirë, duke zënë vendin e 26-të nga 38 garues. Paraqitje të mirë pati edhe 16-vjeçarja, Kiana Kryeziu, e cila dje doli e nënta nga 15 garuese, kurse 16-vjeçarja, Arba Pupovci e 12-ta.

Ndërkohë, në garën e sotme, Arba doli e shtata, ndërsa Kiana u diskualifikua, sikurse edhe gjashtë garuese tjera. Nesër dhe pasnesër garat zhvillohen në disiplinën e sllallomit të madh.Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022, mbahen në shkurt të vitit të ardhshëm në Pekin të Kinës.

/Sporti në Sinjali/.