Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi e banesa, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur i lënë pa përkujdesje. Por, jo rrallëherë hajnat dalin të jenë edhe persona të njohur për viktimat. Kështu dyshohet se ndodhi së fundmi në Podujevë, raporton Gazeta Sinjali.
Në një shtëpi në rrugën “Mbretëresha Teutë”, para disa ditësh u vodhën rreth 9 mijë euro para të gatshme dhe rasti u denoncua nga pronari.
Siç merr vesh Sinjali, dyshimet e para të pronarit kanë qenë se vjedhja është kryer nga disa punëtorë që kishin kryer punime te shtëpia e tij dhe si rezultat, Policia ka arritur të sigurojë prezencën e tyre.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy të dyshuar fillimisht e kanë mohuar, por më pas njëri prej tyre e ka pranuar se ka kryer vjedhje.
Bazuar në deklaratën e tij, ai i ka marrë vetëm një pjesë të parave, që i janë kthyer më pas pronarit.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’ dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.