Personi i cili ka rënë sot nga një ndërtesë në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka bërë të ditur mjeku kujdestar, Naser Syla, i cili ka thënë se personi në fjalë është në gjendje shumë të keqe shëndetësore.
“Shumë e ka të keqe gjendjen. Shumë është gjendja e rëndë për fat të keq. Ai është duke u trajtuar’, ka thënë Naser Syla.
Një sinjalizues i Gazetës Sinjali ka bërë të ditur se personi që ka rënë nga ndërtesa ishte duke punuar në vendin e tij të punës.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
“Me datë 24.08.2020 rreth orës 17:10, policia ka pranuar informacionin për një person të lënduar në rrugën ‘Fehmi Agani’ në Prishtinë. Në vendngjarje kanë dalë njësitet policore të stacionit Qendra. Është njoftuar ndihma e shpejtë dhe inspektorët e punës. Lidhur me rastin janë duke u marrë njësitet kompetente për të sqaruar detajet e tjera”, ka thënë Hoxha. /Gazeta Sinjali/