Kompania për dhënien e veturave me qira “Galaxy Plus” e ka denoncuar në polici punëtorin e Komunës së Fushë-Kosovës, Ilir Krasniqin, me pretendimin se i njëjti ka marrë me qira një automjet nga kjo kompani dhe të njëjtin ka tentuar ta shiste për pjesë në një autoservis, raporton Gazeta Sinjali.
Nga “Galaxy Plus”, kanë thënë për Sinjalin se Krasniqi kishte shkuar të hënën në këtë kompani, ku e kishte marrë për shfrytëzim një automjet, të cilin sot e kishte dërguar për ta shitur në një autoservis.
Pronari i kësaj kompanie tha se automjeti është gjetur në momentin e fundit, para se të demolohet.
Ai i tha Sinjalit se e kanë paraqitur sot pasdite rastin në Polici dhe se Policia është duke u marrë me këtë rast.
Gazeta Sinjali ka provuar që të kontaktojë me Krasniqin, por i njëjti nuk u është përgjigjur thirrjeve të redaksisë.
Ndërsa nga Komuna e Fushë-Kosovës e konfirmuan që Krasniqi është punëtor i kësaj komune, por nuk pranuan që të flasin për këtë rast.
Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje për këtë rast edhe në Polici, por ende nuk ka pranuar përgjigje.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/