image Punëtori i KEDS-it i infektuar me koronavirus është rast kontakti nga familja e tij

Kosovë

Punëtori i KEDS-it i infektuar me koronavirus është rast kontakti nga familja e tij

news image

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka bërë me dije se në mesin e kompanive që kanë punëtorë të infektuar me koronavirus është edhe KEDS-i.

Për të kuptuar më shumë rreth gjendjes shëndetësore të punëtorit të infektuar, Gazeta Sinjali, ka kontaktuar me zëdhënësin e KEDS-it Viktor Buzhalën.

Buzhala bëri të ditur se në KEDS është vetëm një punëtor i infektuar me Covid-19 dhe të gjitha kontaktet e tij janë dërguar menjëherë në vetizolim.

“Është vetëm një i prekur me koronavirus, ka simptoma të lehta dhe gjendja shëndetësore e tij është stabile”, tha Buzhala të shtunën për Gazetën Sinjali.

Buzhala theksoi se punëtori i infektuar është rast kontakti nga familja e tij.

“KEDS ka reaguar menjëherë duke dërguar në vetizolim të gjitha kontaktet e tij. Ky është rast kontakti në familje të tij. I janë bërë testet të gjitha kontakteve brenda kompanisë që ka pasur dhe kanë rezultuar negative”, përfundoi Buzhala.

Ndryshe, IKSHPK ka bërë të ditur se javën e fundit kemi shfaqje të rasteve pozitive në mesin e punëtorëve të organizatave si: Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare dhe shëndetësore, dhe sipas tyre kjo ka ndodhur për shkak të mosmbajtjes së distancës dhe mosmbajtjes së maskave.

“Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre aktiviteteve, mund të shtojnë rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve.

Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme e në veçanti zbatimi i planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve.

Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”, thuhet ndër të tjera në apelin e IKSHPK-së. /Gazeta Sinjali/