Punëtorët teknikë të Qendrës Studentore në Prishtinë, kanë protestuar sot para drejtorisë së kësaj qendre, me kërkesën për pagesën e trustit pensional nga kompanitë prej të cilave menaxhohen.
Njëra prej kompanive që është kontraktuar nga Qendra Studentore në Prishtinë, për mirëmbajtje teknike, është kompania “Beni”.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë (SPSPK), Jusuf Azemi, ka thënë për Gazetën Sinjali, se drejtori i kësaj qendre i’u ka premtuar punëtorëve se do t`ua paguaj borxhin, që sipas tij, ka kompania ‘Beni’ ndaj tyre.
“Çdoherë këta punëtorë kanë kërkuar nga drejtori i Qendrës që t’iu paguhet Trusti Pensional, këta nuk e kanë bërë. Vetë drejtori iu ka thënë punëtorëve që nëse kompania nuk e paguan borxhin deri me 1 shtator, unë vetë do ta bëj dhe këtë nuk e ka bërë as kompania as drejtori”, ka deklaruar Azemi.
Tutje ai ka theksuar se kjo kompani nuk e ka paguar Trustin për punëtorët qe një vit e gjysmë, ndërsa borxhi total ndaj tyre ka arritur deri në 40 mijë euro.
“Sipas rregullave dhe ligjeve që janë, meqë kjo kompani nuk ka bërë pagesë për më shumë se një vit e gjysmë, drejtori i Qendrës së Punëtorëve është dashur të ndërpresë kontratën me kompaninë “Beni”, ka thënë Azemi.
Drejtori i Qendrës së Studentëve në Prishtinë, Fatmir Sfishta, ka thënë për Gazetën Sinjali se nuk iu ka premtuar asgjë punëtorëve dhe se ka realizaur 100 përqind marrëveshjen që kanë me kompaninë ‘Beni’.
“Nuk kemi marrëdhënie kontraktuale ne me punëtorë veç e veç, ai personi i Sindikatës po luan me injoracën dhe paditurinë e këtyre punëtorëve. Unë kam marrëveshje me kompaninë “Beni”, edhe atë marrëveshje ne e realizojmë 100 përqind. Unë nuk kam premtuar asgjë, këto paratë e Qendrës së Studentëve nuk janë paratë e mia”, ka delaruar Sfishta.
Të kontaktuar nga Gazeta Sinjali, njëri nga zyrtarët e kompanisë “Beni” ka hedhur poshtë pretendimet e punëtorëve teknikë për mospagesë të trustit pensional. Sipas tij, kompania “Beni” ka paguar trustin e punëtorëve të Qendrës së Studentëve në Prishtinë, ndërsa borxhi, siç thotë ai, u takon kompanive paraprake që kanë menaxhuar punëtorët.
““Pagesat e Trustit nuk ua kanë paguar dy kompanitë e kontraktuara para neve. Sa i përket pagesave të Trustit prej kompanisë tonë janë të paguara prej muajit të parë deri në muajin e fundit, qe 27 muaj. Kompania jonë është 100 për qind e pastër ndaj këtyre punëtorëve, mirëpo problemi është me kompanitë e mëparshme, borxhi prej 40 mijë eurove është i atyre kompanive. Ne nuk kemi asnjë problem me këta punëtorë”, kanë thënë nga kompania.
Dy kompanitë paraprake të kontraktuara nga Qendra e Studentëve, kanë qenë “Omi Impex” dhe “Higjena”.
Gazeta Sinjali ka bërë përpjekje të kontaktoj edhe përfaqësuesit e këtyre dy kompanive, por kanë qenë të paqasshëm.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se i kanë paditur këto tri kompani, mirëpo gjendja nuk po ndryshon. Ai shtoi se punëtorët teknik shpeshherë detyrohen të kryejnë edhe punë të tjera jashtë kontratës.
“Shpesh herë këta punëtorë i detyrojnë të kryejnë edhe punë private të cilat nuk janë të kontraktume në Qendrën Studentore. Krejt këtë lidhshmëri për përfitimet e tyre personale që këta e kanë mes vete, po e paguajnë me supet e tyre punëtorët që bëjnë mirëmbajtjen e konvikteve të studentëve”, ka thënë Azemi.
Punëtorët teknikë të Qendrës së Studentëve në Prishtinë, kanë paralajmëruar se nëse nuk merren masa për pagesën e trustit pensional, ata do të futën në grevë më 7 tetor./Gazeta Sinjali/