image Punëtorët e KEK-ut protestojnë nesër, duan rritje pagash

Politikë

Punëtorët e KEK-ut protestojnë nesër, duan rritje pagash

news image

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës nesër nga ora 12:00 do të protestojnë në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet. Ata përmes këtij veprimi sindikal po kërkojnë rritje pagash.

Krahas rritjes së pagës punëtorët e KEK-ut, po kërkojnë edhe pagesën për shujtën ushqimore, rrezikshmërinë në punë, pagesën për punën në vikend sipas Ligjit të Punës, si dhe respektimin e vendimeve të gjykatës po për këtë kërkesë.

Kryetari i Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës, Nexhat Llumnica, u shpreh se kjo protestë do të zhvillohet në sheshin “Nënë Tereza”, dhe kërkesat e tyre janë esenciale.

Ai tha se edhe premtimet e bëra për rritje të pagesës për shujtën dhe marrëveshjen kolektive, nuk janë realizuar.

“Me qëllim që të bëjmë edhe ne një presion për ngritje të pagave dhe kjo kërkesë ka rezultuar prej prillit të vitit 2022, e asnjëherë nuk ka gjetur mbështetje, madje gjatë takimeve është thënë se nuk do të ketë ngritje të pagave. Ne e dimë që në Kosovë ka ndodhur një ngritje e pagave edhe prej buxhetit të shtetit, nuk është ndonjë ngritje shumë e madhe, por simbolike dhe sadopak e them atë inflacioni, kurse ne si kompania më e fuqishme në Kosovë, si KEK, që është shumë e domosdoshme dhe jetike, nuk kemi ngritje të pagave. Kemi rrezikshmëri në punë po nuk paguhet rrezikshmëria për punëtorë, kemi punë të rëndë po ushqimi është i lehtë sepse kemi një shujtë të ushqimit 1 euro e 74 cent, pra edhe pse kemi pas premtim nga menaxhmenti, mund të them më shumë drejtori se prej 22 shtatorit, shujta e ushqimit do të ngritet në rast se nuk hapen restaurante por kjo nuk ka ndodhur”, tha Llumnica.

Kërkesë tjetër e punëtorëve të KEK-ut, është edhe pagesa e vikendeve për punëtorët me ndërrime. Llumnica tha se menaxhmenti i KEK-ut, nuk po respekton vendimet e gjykatave të Kosovës për këtë çështje.

Në përkrah kësaj proteste i ka dal edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Kryetari i BSKPK-së, Atdhe Hykolli u shpreh se kërkesat e punëtorëve të KEK-ut, janë të ligjshme dhe minimale.

Ndërsa, nënkryetari Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës, Selatin Sadiku kërkoi që kërkesat e tyre të plotësohen sa më shpejt, në të kundër paralajmëron edhe radikalizim të veprimeve të tyre.

Kryetari i DPQ, Xhelal Jashari kërkoi pjesëmarrje masive të punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës në protestën e nesërme. /KP

/GazetaSinjali/