Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, sot kanë mbajtur grevën një orëshe, ashtu siç kanë paralajmëruar ditë më parë. Por kjo grevë që zgjati deri në orën 09:00, ka krijuar tollovi të madhe dhe vonesa disa orëshe edhe tek qytetarët që po prisnin për të udhëtuar.
Punëtorët përmes kësaj grevë po kërkojnë kompensim dhe benifite të tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesën e përvojës së punës, pagesën e orëve të punës gjatë vikendeve sipas ligjit të punës dhe pagesën e shujtës.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bashkim Latifi, e ka cilësuar të suksesshme grevën e sotme ndërsa i ka quajtur normale edhe tollovitë e shkaktuara në aeroport.
Ai thotë se nëse menaxhmenti i aeroportit nuk reflekton, greva do të vazhdojë edhe nesër për 2 orë, ndërsa të mërkuren thekson se greva do të jetë gjithëditore.
“Gjendja erdhi deri tek greva, greva u mbajtë 1 orëshe dhe ne konsiderojmë se ka qenë e suksesshme, mesazhi jonë ka shkuar në vend, besoj që menaxhmenti duhet ta kuptoj këtë mesazh që i kemi dhënë sot që të reflektojnë që nesër mos të ketë ndërprerje dy orëshe. Ka qenë normale ajo sepse kanë qenë të gjithë punëtorët në grevë me përjashtim të menaxhmentit dhe menaxhmenti me të gjithë fuqinë e vetë u mundua të punojë vetë fizikisht në punët që nuk i takojnë dhe ka qenë normale që do ketë tollovi dhe vonesa”, tha Latifi.
Në anën tjetër, për tollovinë e shkaktuar dhe vonesat e shumta në fluturime ka folur edhe zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara, e cila tha se këto vonesa kanë ndodhur pasi që njëri nga grevistët ilegalisht e ka ndërprerë shiritin e valixheve.
“Ne kemi paralajmëruar se nuk do të ketë ndikim në fluturime, tollovia e shkaktuar fillimisht është nga fluturimi i cili është paraparë të realizohet dje, ndërkaq është shtyer sot. Po ashtu edhe pse ka pasur grevë ne kemi punuar me kapacitete të plota, ne i kemi pasur të gjithë punonjësit në dispozicion për t’i kryer shërbimet e fluturimeve , mirëpo dikush ilegalisht e ka ndërprerë shiritin e valixheve, kështu që në këtë mënyrë edhe i ka penguar fluturimet. Edhe në ditët në vijim edhe përkundër grevës ne jemi mjaftë të bindur se të gjitha fluturimet do të realizohen meqenëse sot është bllokuar për shkak se dikush ilegalisht e ka ndërprerë shiritin e valixheve”, tha Gara.
Lidhur me akuzat që ka hedhur menaxhmenti i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për ndërprerjen e shiritit të valixheve, kryesindikalisiti Latifi, tha se menaxherët janë mundur që punonjësit t’i detyrojnë ta vazhdojnë punën përkundër që kanë qenë në grevë.
E për menaxherin e caktuar për dialog, ai tha se nuk është i duhuri dhe se nuk e përfaqëson menaxhimin e Aeroportit të Prishtinës.
“Menaxhmenti po të ishte më i kthjellët dhe me qenë më i arsyeshëm nuk e kishte lënë me ardhur në këtë gjendje, mirëpo edhe me këso gjërash po e vazhdon avazin e vjetër sepse punëtorët nuk kanë dashur të punojnë dhe menaxherët e tyre me dhunë kanë dashur ta fusin të punoj me zor, dhe ajo është e ndaluar sepse është e drejtë e secilit punëtor të jetë grevist. Ai menaxher që është i nivelit shumë të ulët që nuk mund ta përfaqësoj menaxhmentin, neve e kemi pranuar, mirëpo kur i kemi kërkuar autorizim ka thënë unë se përfaqësoj vetëm mundeni përmes emailit tim”, u shpreh kryesindikalisti Ltifi.
Në anën tjetër, udhëtarët që po prisnin të udhëtonin drejt destiancioneve të tyre, u shprehen tejet të mllefosur me situatën e krijuar në aeroport.
Riza Muriqi, i cili ka dy ditë që pret për të udhëtuar drejt Zvicrës, tha se bashkatdhetarët nuk kanë faj për gjendjen e punëtorëve.
“Tollovi shumë e madhe, ne biletën e kemi pasur për dje në orën 08:00, dje kemi ardhur kemi pritur këtu deri në orën 12:00, nuk përgjigjet askush për ne, biletat i marrin nga 700 franga, biletën e kam me Prishtina Reisen, ata na thonë se është prishur aeroplani pastaj kemi pritur deri në orën 12:00. Është dashur me i nxjerr biletat tjera, sot kam ardhur prapë, prapë shikoni çfarë tollovie është, thonë jemi në grevë, ne faj nuk iu kemi për grevë, le të shkojnë tek Hashim Thaçi, tek qeveria se ne jemi bashkatdhetarë”, tha Muriqi.
Edhe Halim Morina tejet i nervozuar me gjendjen e krijuar, thotë se bashkëshortja e tij për shkak të vonesës së fluturimit do ta humb kontrollin mjekësor.
“A nuk është marre për ne, 20 mijë frang i kam dhënë për këtë vend, shoqja jem e ka kontrollin në orën 14:00, unë me ndejtë këtu në aeroport a nuk është marre, marre iu çoftë të gjithë shtetit që po na bënë kështu. Kush do me dhënë përgjigje askush, shkoj aty thotë nuk ka përgjigje, shkoj këtu nuk ka përgjigje , policia mua më thonë mos bërtit, si mos të bërtas”, deklaroi ky bashkatdhetar.
Kujtojmë që punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ”Adem Jashari”, kanë mbajtur greva dhe protesta edhe javë më parë, ndërsa për nesër kanë paralajmëruar një grevë dy orëshe, e cila do nis në orën 08:00.