image Punëtorët e aeroportit në protestë

Kosovë

Punëtorët e aeroportit në protestë

news image

Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” do të protestojnë sot, në shenjë revolte me veprimin e menaxhmentit turk ndaj tyre si dhe për kushte më të mira të punës.

Ata thonë se po ndëshkohen me të holla për gabimet më te vogla nga drejtuesit e kompanisë, nga konsorciumi “Limak”.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Aeroportit të Prishtinës, Bashkim Latifi, ka deklaruar se me ardhjen e kompanisë turke, janë shuar veprimet sindikale në aeroport, ndërsa kërkoi nga konsorciumi “LIMAK” që t’i marrin parasysh pesë kërkesat legjitime të punëtorëve.

“Janë pesë kërkesa, kompensimi dhe benefitet të tjera të rrezikshmërisë, pushimi vjetor, përvoja e punës për detyra dhe punë në shërbimet që janë të ekspozuara direkt me dëmtimin e shëndetit të punëtorëve. Kërkesa e dytë është të eliminohen dallimet në paga në rastet ku punëtorët kanë detyra dhe përshkrim të njëjtë të punës, orë të njëjta të punës, duke ngritur pagat në nivel të barabartë. Kërkesa e tretë është të paguhet përvoja e punës 0.5 për qind, kërkesa e katërt janë orët e punës gjatë vikendeve dhe kërkesa e pestë është shujta”, ka thënë Latifi.

Çdo vit nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” largohen rreth 100 punëtorë.

Përfaqësuesi ligjor i Sindikatës së Pavarur të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, avokati Tomë Gashi, ka deklaruar se që nga marrja e udhëheqjes së kësaj ndërmarrjeje nga “LIMAK”, të drejtat e punëtorëve janë degraduar. Ai shtoi se menaxhmenti i aeroportit, kërkesave të punëtorëve u është përgjigjur në formë të shkruar, duke i kërcënuar që të heqin dorë nga protesta e paralajmëruar për sot.

Punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, përkrahje u ka ofruar edhe Dega e Komunikacionit në Lidhjen e Kosovës. /Sinjali/