image Punëtorët e AAC ankohen 13 herë në AIP se po u mohohet qasja në dokumente publike në institucionin ku punojnë

Sociale

Punëtorët e AAC ankohen 13 herë në AIP se po u mohohet qasja në dokumente publike në institucionin ku punojnë

news image

Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës po vazhdojnë ankesat ndaj drejtorit të tyre i cili në mënyrë sistematike u mohon qasje në dokumente publike të institucionit ku punojnë, raporton Gazeta Sinjali

Sipas njoftimit nga SPAAC-së që nga marrja e mandatit, Bujar Ejupi menaxhon me institucionin e AAC-në në mënyrë jo-transparente dhe kjo ia ka pamundësuar stafit që të ushtrojnë funksionin e tyre publik.

“Dy nga ankesat më të rëndësishme të drejtuara në AIP dhe të cilat janë zgjidhur vetëm pas reagimit të AIP janë fshehja për dy vite me radhë e shkresave zyrtare që kanë të bëjnë me shërbimet në tokë nga departamenti i cili ka në fushëveprim këtë çështje si dhe përpjekja e Bujar Ejupit që të mbajë për vete audioincizimet e takimeve të menaxhmentit duke iu mohuar qasjen pjesëmarrësve të takimit”, thuhet në njoftimin e sindikatës.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Informimit, SPAAC falënderojnë Agjencinë për Informim dhe Privatësi për profesionalizmin në trajtimin e ankesave të shumta të stafit të AAC.

“Është për keqardhje që AAC nga një institucion në të cilin të gjitha aktivitetet, vendimet, planet, trajnimet, procesverbalet janë ndarë me gjithë stafin në mënyrë transparente për më shumë se një dekadë është shndërruar në një institucion në të cilin stafi detyrohen që përmes vendimeve detyruese nga një institucioni i jashtëm të sigurojnë qasje në dokumente të cilat iu nevojiten për të kryer detyrat e përditshme të punës”, thonë nga SPAAC-ja.

Sipas tyre drejtorin duhet ta ndërgjegjësojë AIP se punon në një institucion publik dhe se e ka obligim transparencën dhe bashkëpunimin me stafin.

Sipas AIP, gjatë periudhës shtator 2021- shtator 2022 numri i ankesave ndaj të gjitha agjencive publike në Kosovë është 18, ndërsa vetëm ndaj AAC-së ky numër është 13 apo 72 për qind.

/GazetaSinjali/