Gazetari i “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi ka publikuar një foto të rrallë të mbretëreshës Geraldinë, gruas së mbretit Zog.
Ai e ka nxjerr këtë fotografi nga arkivi hungarez, ku shfaqet arritja e arritja e konteshës hungareze Geraldinë në Shqipëri për t’u fejuar me mbretin Zog, ngjarje kjo që u prit me kureshtje të madhe në Europë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Nga Hungaria u nisën për në Tiranë fototeporterë dhe kronistë me aparate të rënda për të regjistruar këtë histori me mbret që po shpalosej nē Shqipërinë e vogël dhe të varfër.
Duhet të ketë qenë fillimi i vitit 1938, kur 22 vjeçarja u gjend e rrethuar nga kamerat dhe blicet.
Kjo fotografi me cilësi mjaft të mirë është nxjerrë nga arkivi hungarez. Si ajo ekzistojnë disa të tjera, ku gazetarët i kërkojnë Geraldinës së drojtur të marrë poza në perimetrin e një shtëpie pritjeje në Tiranë”, ka shkruar gazetari Ikonomi.
Mbretëresha Geraldinë u martua me Zogun më 27 prill 1938, por fati e largoi nga Tirana pas më pak se një viti. Ajo kaloi shumë peripeci dhe, pas mbi 60 vjetësh, fati e solli përsëri në atdheun e saj të dytë, ku ndërroi jetë më 22 tetor 2002. /Gazeta Sinjali/