image Publikohen pamjet e operacionit në Roskovec, momenti kur policia përpiqet ta bindë 35-vjeçarin të dorëzohet

Shqipëri

Publikohen pamjet e operacionit në Roskovec, momenti kur policia përpiqet ta bindë 35-vjeçarin të dorëzohet

news image

Janë publikuar pamje nga operacioni i zhvilluar nga forcat speciale RENEA dhe Policia e Shqipërisë gjatë ngjarjes së rëndë në Roskovec, ku një 35-vjeçar mbajti peng ish-të fejuarën e tij pas vrasjes së prindërve të saj.

Në video shihen efektivët e RENEA-s dhe negociatorët e policisë teksa përpiqen ta bindin të dyshuarin të dorëzohet dhe të lirojë 24-vjeçaren Rozalinda Plaku. Operacioni zgjati disa orë dhe u ndoq nga afër edhe nga drejtues të Policisë së Fierit dhe përfaqësues të Prokurorisë.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për t’i dhënë fund situatës në mënyrë paqësore, 35-vjeçari refuzoi të dorëzohej.

Pas negociatave, 24-vjeçarja u lirua e padëmtuar dhe u dërgua në një vend të sigurt. Ndërkohë, negociatorët vijuan komunikimin me autorin e dyshuar, por operacioni përfundoi tragjikisht kur ai u gjet i pajetë brenda automjetit.

Ngjarja kishte nisur në orët e para të mëngjesit në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku i dyshuari dyshohet se qëlloi me armë zjarri ndaj prindërve të ish-të fejuarës së tij, të cilët humbën jetën në vend. Më pas ai mori me forcë të renë dhe u largua me automjet, duke shkaktuar një operacion të gjerë kërkimi nga autoritetet.

Grupi hetimor po vazhdon veprimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila ka tronditur opinionin publik në Shqipëri.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/