Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, tha se ligji për vendosjen e masave të përkohshme në produkte themelore në rast të destabilizimit të tregut është shpallur jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese, por jo për arsyet që janë diskutuar në publik.
“Gjykata Kushtetuese në fakt mundësinë e shtetit që të ndërhyjë në treg përmes masave të përkohshme në produkte themelore me qëllim që ta mbrojë konsumatorin nga efekti i rritjes së çmimeve në raste të veçanta të destabilizimit të tregut është shpallur kushtetuese në përputhje me kushtetutën nga Gjykata Kushtetuese, kjo pjesë e ligjit është shpallur në përputhje me kushtetutën, gjithnjë me garancitë që ndërhyrja e tillë në treg duhet të ketë një qëllim legjitim dhe të jetë proporcional me qëllimin e ndjekur, ligji është shpallur jokushtetues për dy arsye të tjera”, tha Caka-Nimani në Klan Kosovë.
Caka-Nimani tha se ky ligj binte në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës pasi kompetenca për ndërhyrje në treg nuk i ishte përcaktuar një organi të pavarur, por ministrit dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe arsyeja e dytë përse ligji ishte shpallur anti-kushtetues ndërlidhet me sigurinë juridike.
“Ligji është shpallur jokushtetues sepse Kushtetuta jonë është eksplicite që Republika e Kosovës ka për detyrë që të themeloj organe të pavarura për rregullimin e tregut në mbrojtje të interesit publik atëherë kur tregu nuk mund të rregulloj vetveten dhe ligji i kontestuar kompetencën për ndërhyrje në treg nuk ia ka përcaktuar një organi të pavarur siç përcakton në mënyrë eksplicite Kushtetuta, por këtë kompetencë përtej disa mekanizmave konsultues ia ka përcaktuar ministrit dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës, dhe kjo është dukshëm në kundërshtim më Kushtetutën”.
“Arsyeja e dytë përse është shpallur ligji në kundërshtim më Kushtetutën ndër ligjet me parimin e sigurisë juridike, sepse ky ligj ka përcaktuar mekanizma të ndërhyrjes në treg paralelisht me ligje ekzistuese të Republikës së Kosovës pa i ndryshuar, ose pa i plotësuar ato. Më saktësisht ligji për tregti të brendshme i vitit 2004 është në fuqi dhe përcakton mekanizma përmes së cilëve ndërhyhet në treg në rastin e destabilizimit të tregut dhe me dy ligje paralele që përcaktojnë mekanizma të ndryshëm për situata të ngjashme krijohet pasiguri e jashtëzakonshme juridike për qytetarët e republikës së Kosovës dhe për operatorët ekonomik”, tha Caka-Nimani.