Deputetja e Partisë Socialdemokrate, Besa Baftiu ka konfirmuar se kanë marrë një ofertë për koalicion parazgjedhor nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në një prononcim për Sinjalin, Baftiu tha se sot gjatë ditës Këshilli i Përgjithshëm i PSD-së do ta shqyrtojë ofertën e partisë së kryeministrit në largim, Ramush Haradinajt.
“Sot do të mblidhet Këlshilli i Përgjithshëm i partisë, aty pritet të diskutohet kjo çështje”, tha Baftiu.
Sinjali kishte marrë vesh nga burimet për ofertën e AAK-së drejtuar PSD-së, ndërkaq sot mund të nënshkruhet kjo marrëveshje dhe këto dy parti të garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhje.
Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj kishte pranuar publikisht se do të preferonte një koalicion me partinë e Shpend Ahmetit.
Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit pas ftesës nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit. Që nga dorëheqja e tij të gjitha partitë politike në Kosovë janë shprehur për zgjedhje të parakohshme.
Seanca e jashtëzakonshme kur pritet të shpërndahet kuvendi është caktuar për datën 22 gusht. /Sinjali