Bashkimi Demokratik për Integrim do të organizojë sonte për herë të dytë protestë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emrave të disa rrugëve dhe sheshit të Tetovës, të miratuar në vitin 2007.
Marshi protestues do të nisë në orën 20:00 nga sheshi i qytetit dhe do të vazhdojë deri te ndërtesa e Komunës së Tetovës.
Në reagimin e saj, BDI ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është arsyeja e drejtpërdrejtë e mobilizimit qytetar, por sipas partisë, shqetësimet janë më të gjera.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për emërimet e rrugëve në Tetovë është ngjarja që mobilizon këtë reagim qytetar, por shqetësimi i qytetarëve është shumë më i gjerë. Për një periudhë të gjatë është krijuar bindja se po zhvillohet një proces i vazhdueshëm i dobësimit të mekanizmave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Çdo zhvillim i veçantë ka shtuar pasigurinë; të marra së bashku, ato krijojnë një pamje që kërkon reagim qytetar”, thuhet në reagimin e BDI-së.
BDI kishte organizuar protestë edhe më 26 qershor.
Gjykata Kushtetuese, më 17 qershor 2026, shfuqizoi vendimin e Këshillit Komunal të vitit 2007, me të cilin sheshi i qytetit dhe shtatë rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa tri rrugë u riemërtuan në gjuhën maqedonase.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!