image Protestë në Kosovë e Serbi – opozitarët ua kërkojnë dorëheqjen Kurtit dhe Vuçiqit për marrëveshjen në Ohër

Politikë

Protestë në Kosovë e Serbi – opozitarët ua kërkojnë dorëheqjen Kurtit dhe Vuçiqit për marrëveshjen në Ohër

news image

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve. Edhe gjatë javës që po e lëmë pas, pati diskutime e mospajtime me atë se për çfarë janë pajtuar Kosova dhe Serbia në Ohër. Më 24 mars, mbështetësit e katër partive parlamentare të opozitës së djathtë bllokuan trafikun për një orë para ndërtesës së Qeverisë së Serbisë në qendër të Beogradit, duke kërkuar refuzimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Një ditë më pas, një protestë u mbajt edhe në Kosovë e cila u organizua nga Partia Socialdemokrate – parti joparlamentare por që protesta iu mbështet nga partitë opozitare. Në këtë protestë përveç të tjerave, kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, shkruan Gazeta Sinjali.

Lëvizja Dveri, Zavetnici (Të betuarit), Partia e Re Demokratike e Serbisë dhe Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë kërkuan dorëheqjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për atë që ata e quajtën “tradhti” dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Pjesëmarrësit e tubimit mbanin pankartat “Jo kapitullimit” dhe “Vuçiq dorëheqje”, ndërkaq disa kishin veshur edhe bluza me shkronjën Z, simbol i agresionit rus kundër Ukrainës.

Protesta në qendër të Beogradit, me moton “Jo kapitullimit”, filloi në orën 12 e 44 minuta, si aludim për Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara për Kosovën dhe në ditën kur filluan bombardimet e NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë së atëhershme, në vitin 1999.

Ndërsa, një ditë më parë Dveri, Zavetnici, Partia e Re Demokratike e Serbisë dhe Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë u dërguan një letër zyrtarëve të Bashkimit Evropian (BE) dhe ambasadave të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, në të cilën shprehën kundërshtimin e tyre ndaj marrëveshjes evropiane dhe vlerësuan se ajo është “e pavlefshme”.

Letra iu drejtua përfaqësuesve të BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, deputetëve të Parlamentit Evropian dhe ambasadave të Spanjës, Rumanisë, Greqisë, Qipros dhe Sllovakisë.

Disa mijëra njerëz më pas kanë shkuar në këmbë nga Kisha e Shën Savës deri në ndërtesën e Presidencës së Serbisë, me kërkesën që Vuçiq të refuzojë në Ohër planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke e quajtur këtë marrëveshje si “tradhti”.

Kurse, një ditë më vonë, dhjetëra qytetarë dhe përfaqësues të Partisë Socialdemokrate (PSD) kanë protestuar në sheshet e kryeqytetit dhe para Qeverisë së Kosovës kundër marrëveshjes së arritur në Ohër më 18 mars në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë protestë në të cilën morën pjesë edhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), anëtarë të partisë Nisma Socialdemokrate dhe pjesëtarë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së u kërkua edhe dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Protestuesit pasi hoqën flamujt shtetërorë para Qeverisë së Kosovës, vendosën flamuj të bardhë në shenjë dorëzimi të Qeverisë për të rezistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se marrëveshja e Ohrit është marrëveshje e keqe dhe nuk ka argumente për të mos e kundërshtuar atë.

Ai tha se Kurti po përpiqet që t’ia ndryshojë emrin Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Vetëmenaxhim.

“Nuk ka emër që e zëvendëson atë që po i ndodhë Kosovës. Ajo që po i ndodhë Kosovës është e qartë: është autonomi territoriale, etnike për komunitetin serb në Kosovë. Po ashtu, autonomi ose zona të veçanta që kanë karakter eksterritorial përreth kishave dhe manastireve ortodokse. Besoni që në rrugëtimin e tij për t’ia ndërruar emrin nga ‘Zajednicë’ në Vetëmenaxhim ajo çfarë do të mbetet si dëshmi e kësaj kohe dhe kësaj qeverie është që Albini ia ka ndërruar mbiemrin vetes nga Kurti në ‘Zajednicë'”, theksoi Molliqaj.

Protesta përfundoi me hedhje të tymit të zi në godinën e Qeverisë së Kosovës, për të cilën PSD tha se ka për qëllim të tregojë që Qeveria ia ka zymtuar perspektivën Kosovës.

Në një takim në Ohër, më 18 mars, liderët e Serbisë dhe Kosovës ranë dakord për Aneksin për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndonëse presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk kanë nënshkruar asnjë dokument në Ohër, ndërmjetësit evropianë presin që palët të zbatojnë gjithçka që liderët kanë rënë dakord.

Serbia dhe Kosova ranë dakord që të mos bllokojnë zbatimin e asnjë neni të Marrëveshjes.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, tha më 21 mars se Beogradi nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe se nuk bëhet fjalë për njohje.

Me këtë marrëveshje, Kosova u zotua që të fillojë të sigurojë një nivel të duhur të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme nga dialogu.

Marrëveshja nuk përmend njohjen reciproke, por thekson se palët duhet të respektojnë pavarësinë, autonominë dhe integritetin territorial.

Në Ohër u ra dakord që këto dokumente të bëhen pjesë integrale e procesit të integrimit të Serbisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, shpjegoi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) se palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, sepse presidenti serb deklaroi se ai kishte “kufizime kushtetuese” dhe për këtë arsye nuk ishte në gjendje të nënshkruante dokumentin.

Sipas Lajçakut, pavarësisht mungesës së nënshkrimit, marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët, sepse ato janë pajtuar që ky dokument të formalizohet përmes një deklarate të përfaqësuesit të lartë të BE-së.

/GazetaSinjali/