Pas protestës së paralajmëruar nga serbët që do të mbahet sot në Graçanicë, Policia e Kosovës ka njoftuar për mbylljen e një rruge.
Bëhet fjalë për rrugën nga Prishtina për në Gjilan.
Policia ka ftuar qytetarët që të zgjedhin rrugët alternative.
Njoftimi:
“Njoftim për bllokim të rrugës
Policia e Kosovës, me qëllim të mbarvajtjes së protestës së paralajmëruar, që do të mbahet sot në Graqanicë, duke filluar nga ora 11:30 e deri në përfundim të protestës, do të ridrejtoj trafikun për automjetet që qarkullojnë nga Prishtina në Gjilan dhe anasjelltas, pasi që rruga kryesore në Graqanicë nuk do të jetë e qarkullueshme për trafik deri në përfundim të protestës.
Andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën dhe mirëkuptimin e të gjithë pjesmarrësve në trafik që përgjatë kohës sa do të zgjatë protesta të shfrytëzojnë rrugët alternative.”
Mbledhja e Vidovdanit e serbëve në veri të Kosovës do të mbahet në sheshin Vëllezërit Miliq në veri të Mitrovicës në mesditë.
Në të njëjtën kohë, në një takim në Graçanicë do të mblidhen edhe serbët nga zonat serbe në jug të Ibrit.
Në tubimet e mëdha të Vidovdanit në Mitrovicën e Veriut dhe në Graçanicë do të lexohet deklarata e Vidovdanit e kombit serb, por serbët do të dërgojnë edhe një herë mesazhet e tyre të qarta.
Serbët nga veriu kanë mbi një muaj që protestojnë paqësisht në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, të pakënaqur me pushtimin e objekteve komunale nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës dhe sjelljen e kryetarëve shqiptarë.