Dibran Hoxha, organizator i protestës së sotme kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, ka thënë se kanë pasur kërkesa nga disa parti opozitare për t’u bashkuar në protestën e sotme, por që sipas tij, i kanë refuzuar, pasi janë nën petkun politik.
Por, Hoxha tha se do t’i pranonin nëse do të merrnin pjesë si qytetarë.
“Kemi pasur disa kërkesa që disa parti opozitare të na bashkohen por ne jemi grup i aktivistëve të shoqërisë civile dhe i kemi refuzuar kategorikisht për aq sa ata janë brenda partive politike, nëse vijnë në rolin e qytetarëve pa ombrellë partiake atëherë i pranojmë. nuk jemi e as nuk kemi qenë të gatshëm të bashkëpunojmë me ta sepse edhe opozita në njëfarë forme ka faj që jemi në këtë gjendje”, ka thënë Hoxha.
Ai tha se kjo protestë do të organizohet nga shoqëria civile andaj tha se beson se qytetarët do t’i bashkohen asaj pasi afekton jetën e tyre.
Ndërkaq shtoi se nuk kanë pasur ndonjë kontakt me qeverinë andaj edhe kjo protestë vjen për të treguar kundërshtimin e tyre ndaj këtij propozimi.
“Jo nuk kemi pasur kontakt me qeverinë për atë kemi organizuar protestë, sepse protesta është mjeti i vetëm demokratik përmes daljes në protestë, ia bëjmë me dije qeverisë që jemi kundër shtrenjtimit të rrymës. nuk kemi kontakt dhe nuk e di se a kemi nevojë të kemi kontakt pasi ata veç do duket të pozicionuar dhe po duket se tashmë ka vendosur për të aprovuar ngritjen e çmimit të rrymës”, ka thënë ai në Klan Kosova.
Protesta do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” në ora 12./GazetaSinjali/