image Protesta e veteranëve që përfundoi me arrestimin e Dardan Molliqajt, krejt çka ndodhi sot në Prishtinë

Politikë

Protesta e veteranëve që përfundoi me arrestimin e Dardan Molliqajt, krejt çka ndodhi sot në Prishtinë

news image

Veteranët sot mbajtën protestën e dytë, përmes së cilës kanë bërë thirrje që të mos mbahet asnjë seancë, derisa të tërhiqet Projektligji për pagat,  i miratuar në lexim të parë më 14 qershor, në të cilin nuk është përfshirë rritja e pensionit të tyre. Gjatë kësaj proteste pati disa herë tensione, deri në momentin që u mor vendimi që seanca të ndërpritej. Kjo bëri që të shpërndahej edhe turma që ishte mbledhur në oborrin e Kuvendit, që pasoi me arrestimin e kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqajt, raporton Gazeta Sinjali.

Krejt çka ndodhi sot në Prishtinë

Protesta e veteranëve ka nisur sot në orët e mëngjesit në afërsi të Kuvendit të Kosovës. Pak minuta më vonë, protestuesit kanë hyrë në oborrin e Kuvendit, pas shtyrjeve me forcat e Policisë së Kosovës, derisa në hyrje të këtij institucioni kanë qenë të pozicionuara njësitet speciale.

Edhe pse veteranët u kërkuan deputetëve të mos nisen për Kuvend, të njëjtit arritën, por me shumë zhurmë. Deputetët e PDK-së e AAK-së kanë goditur tavolinat e tyre, duke u munduar ta pengojnë nisjen e seancës. Megjithatë, seanca plenare vazhdoi për pak, edhe përkundër se jashtë sallës, të dy hyrjet e Kuvendit ishin të bllokuara.

Gjatë kohës sa po mbahej seanca, opozita pati kritika të mëdha ndaj Qeverisë, duke e akuzuar se po i shkelin veteranët. Pas fjalimeve që mbajtën disa në foltore, e disa nga vendet e tyre, deputetët nga opozita e bllokuan hapësirën ku ndodhej foltorja, deri në atë pikë sa kryetari i GP të PDK-së, Abelard Tahiri e hoqi dhunshëm edhe mikrofonin.

Bllokimi i foltores së Kuvendit

Kjo bllokadë bëri që Konjufca t’i ftojë shefat e grupeve parlamentare në takim për të diskutuar për procedimin e mëtutjeshëm të seancës. Por as në këtë takim nuk u gjet kompromis. Disa nga deputetët hynë në turmë, duke i përkrahur në kërkesat e veteranëve.

Përveç partive opozitare që po protestonin brenda sallës, në oborrin e Kuvendit ndodhej kryetari i partisë që po i bënë opozitë Qeverisë nga jashtë. Dardan Molliqaj, kreu i PSD-së, në mesin e protestuesve, deklaroi mbështetjen e tij për veteranët, duke kundërshtuar projektligjin për pagën minimale ku s’janë përfshirë ata. Ai tha se kjo s’do duhet të ndodhë më shumë se 20 vjet pas çlirimit.

Përballja e deputetëve të PDK-së me veteranët

Turmës pasi Kuvendi shkoi në pauzë, iu bashkua edhe partia më e madhe opozitare, PDK. Por, deputetët e këtij subjekti politik u ballafaquan me veteranët, të cilët disa prej tyre i gjuajtën me ujë. Madje, shefin e tyre, Abelard Tahiri, dikush e quajti “laper”, duke i kërkuar që të mos flasë.

Pas gjithë këtyre momenteve dramatike, brenda e jashtë sallës së Kuvendit, i pari i Qeverisë i tha disa fjalë. Edhe pse insistoi që seanca të mos ndërpritej, kryeministri Albin Kurti, njoftoi se do ta anulojë një vizitë zyrtare, në mënyrë që t’i takojë veteranët. Por seanca sërish u ndërpre dhe Kuvendi shkoi në pauzë edhe për një orë.

Vendimin që e kumtoi Konjufca për pauzë, për Klinakun ishte një hile.  Sipas tij, kryeparlamentari ka menduar se mund të lodhen veteranët nëse vazhdon pauza.

Ftesa e kryeministrit Kurti

Nuk shkoi shumë, kur Qeveria bëri një hap. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku deklaroi se janë ftuar zyrtarisht në takimin e kryeministrit, Albin Kurti, ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe përfaqësuesve të Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Klinaku tha se ka pranuar ftesën për takim, të cilën do ta shqyrtojnë në organet e organizatës. Teksa ka shtuar se veteranët gjithmonë kanë qenë për dialog. Pas një kohe të shkurtër, pati sërish tensione, kur protestuesit tentuan të hyjnë në Kuvend, por u bllokuan nga Policia. I revoltuar, Klinaku u kërkoi atyre që të mos e prishin protestën.

Ky ishte ndër momentet e fundit të protestës, e cila përfundoi pasi u ndërpre përfundimisht për sot, seanca e Kuvendit. Konjufca njoftoi se seanca shtyhet për javën e ardhshme, çka bëri që të shpërndahej edhe turma e mbledhur në oborrin e Kuvendit.

Arrestimi i Dardan Molliqajt

Derisa protestuesit po largoheshin, në mesin e tyre edhe Molliqaj, ky i fundit u kap papritmas nga Policia. Kreu i PSD-së u arrestua në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për sulmin fizik ndaj deputetit të LVV-së, Haki Abazit.

Molliqajt iu vunë prangat nën britmat dhe tentimet e zyrtarëve të PSD-së, katër prej të cilëve po ashtu u arrestuan, nën dyshimet se i penguan policët.

Reagimi i partisë ishte i menjëhershëm, duke akuzuar shtetin për arrestime të dhunshme dhe përndjekje të opozitës.  

Pakënaqësitë e veteranëve

Projektligji i miratuar parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.

Në rast se miratohet edhe në leximin e dytë ashtu siç është, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë 170 euro.

Veteranët kanë kërkuar që ky Projektligj të mos miratohet edhe në një protestë që kanë zhvilluar para Kuvendit më 6 qershor.

Projektligji i miratuar në parim është kundërshtuar vazhdimisht edhe nga partitë opozitare në Kosovë, duke e konsideruar si diskriminues ndaj veteranëve.

/GazetaSinjali/