image Protesta e serbëve në veri, Policia apelon për qetësi: Qytetarët të mos bien pre e provokimeve të mundshme

Siguri

Protesta e serbëve në veri, Policia apelon për qetësi: Qytetarët të mos bien pre e provokimeve të mundshme

news image

Foto ilustruese


Policia e Kosovës ka dalë me reagim publik lidhur me protestën e thirrur nga serbët e pjesës veriore të Kosovës, të cilët kanë paralajmëruar se do mblidhen sot në orën 12:00 në Rudarë, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një komunikate për media, Policia bën thirrje që protesta të jetë e qetë, duke bërë me dije se sipas detyrës zyrtare do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe detyrave të përcaktuar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Tutje ata apelojnë qytetarët që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme.

“Duke ditur rrethanat dhe situatën e brishtë të sigurisë të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit dhe tendencës për destabilizim të situatës, Policia e Kosovës fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjes së kësaj proteste, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”, thuhet në komunikatë.

Angazhimet policore lidhur ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike ne veri të venditPrishtinë, më 22 dhjetor…

Posted by Kosovo Police on Thursday, December 22, 2022

Ndryshe, i ashtuquajturi “shtabi i krizës së popullit serb nga veriu i Kosovës” i formuar nga serbët lokalë, ka ftuar qytetarët në “protestën më të madhe ndonjëherë” që do të mbahet sot në Rudare të komunës së Zveçanit.

Përfaqësues të këtij shtabi kanë bërë të ditur se organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.

Sipas tyre, Kurti ka bërë thirrje për vrasjen e serbëve në barrikada dhe zhdukjen e tyre, ndërsa ambasadori gjerman me deklaratat e tij po e mbështetë drejtpërdrejt dhe hapur kryeministrin Kurti.

Në këtë protestë pjesëmarrjen e kanë të detyrueshme të gjithë të punësuarit në institucionet të cilat funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, nga mbarë Kosova, ndërsa janë ftuar edhe qytetarë nga qytetet e afërta të Serbisë, siç janë Rashka, Novi Pazari etj.

“Ftojmë popullin serb që jeton në Kosovë në protestën më të madhe publike ndonjëherë, e cila do të mbahet të enjten më 22 dhjetor në ora 12:00 në Rudar afër kryqit, ku populli ynë i përbërë nga mjekët tanë, profesorët, mësuesit, minatorët, të afërmit, fqinjët, nënat, motrat tona të mblidhen së bashku për të dërguar një mesazh të qartë të përbashkët se ne nuk pajtohemi me persekutim dhe vrasje dhe se veriu i Kosovës nuk është as Gjermania dhe as fundi i Kurtit, por vendi ku jetojmë dhe ku duam të qëndrojmë e të mbijetojmë”, thuhet në njoftim.

Tashmë në Graçanicë serbët kanë filluar të mblidhen për të shkuar në protestën që pritet të mbahet në ora 12:00 në Rudarë.

Kujtojmë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dje tha se barrikadat në veri do të hiqen “kur Prishtina të formojë Asociacionin e Komunave Serbe.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë një interviste për mediat ndërkombëtare ditë më parë, pati thënë se largimi i barrikadave në veri nuk mund të përjashtojë viktimat.

Edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Joern Rohde, duke folur rreth situatës më të re të krijuar në veri të Kosovës, tha se barrikadat duhet të hiqen deri për Krishtlindje, si dhe kërkesa e Beogradit për kthimin e forcave serbe në Kosovë është absurde dhe e papranueshme.

/GazetaSinjali/