image Propozimi për armëpushim në Gazë, s'dihet nëse plani u është prezantuar Izraelit apo Hamasit

Botë

Propozimi për armëpushim në Gazë, s’dihet nëse plani u është prezantuar Izraelit apo Hamasit

news image

Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, ka propozuar një armëpushim dyditor në Gazë dhe këmbim të limituar të pengjeve, me qëllim të sigurimit të “një armëpushimi të plotë”, pas më shumë se një viti të luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

Hamasi është grup palestinez që udhëheq Gazën, i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Propozimi i bërë të dielën parasheh këmbimin e katër pengjeve izraelite që mbahen në Gazë, për të burgosur palestinezë në burgjet izraelite, dhe që më pas të zhvillohen negociata tjera në 10 ditët në vijim, ka thënë Sisi në një konferencë për media në Kajro.

Ai nuk ka treguar se plani u është prezantuar edhe zyrtarisht palëve të Izraelit apo Hamasit.

Intervenimi i Sisit ka ardhur teksa Izraeli vazhdon të godasë territorin palestinez, si dhe lufton kundër Hezbollahut në Liban.

Ndryshe, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të takohet të hënën, me kërkesë të Iranit, teksa Teherani kërkon që kjo organizatë të dënojë sulmet izraelite që kanë lënë të vrarë katër ushtarë.

Liderët iranianë e kanë minimizuar rëndësinë e sulmeve, duke thënë se kanë shkaktuar dëm të kufizuar.

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, i ka thënë kabinetit të tij se Irani nuk dëshiron luftë, por do të nisë një “përgjigje të duhur”.

Izraeli e ka kryer sulmin si hakmarrjeje për sulmin iranian të 1 tetorit, i cili është kryer si përgjigje për vrasjen e liderëve të Hamasit dhe një komandanti iranian.

/GazetaSinjali/