Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca duke folur për propozimin franko-gjerman 2.0, ka deklaruar se nëse Serbia nënshkruan dokumentin për normalizim të raporteve, i bie që ka nënshkruar sovranitetin e Kosovës.
“Është njohje eksplicite, por s’ka njohje me notë verbale”, pohoi Konjufca.
“Unë mendoj se vetëm nota verbale mungon në dokument”.
Por, çfarë do të thotë kjo sipas Konjufcës?
“Serbia nuk i çon notë verbale Kosovës që po e njeh, por së bashku me BE-në, të tre palët nënshkruajnë një marrëveshje në të cilën… pika e dytë është atje që Kosova dhe Serbia ia njohin sovranitetin njëra-tjetrës, pavarësinë dhe të drejtën e vetëvendosjes”, tha ai.
Duke folur për situatën e tensionuar në pjesën veriore, numri një i kuvendit theksoi se e gjitha është përpjekje e Serbisë për ta larguar vëmendjen nga procesi i dialogut.
“Strategjia e Serbisë ka qenë m’i marrë kompetencat që burojnë prej Planit Ahtisari”, nënvizoi Konjufca duke shtuar se deputetët e zëvendësuar nga komuniteti serb në Kosovë, pas dorëheqjeve të pjesëtarëve nga Lista Serbe, e bënë betimin vetëm për mos t’ua lënë vendin tjerëve.
“Kjo është për ta bllokuar pavarësinë e Kosovës, betimin e tyre nuk e pashë si diçka entuziaste, e kam parë si një strategji të Serbisë që t’i marrë krejt kompetencat çka janë në dispozicion… që ata me vazhdu betejën për Kosovën”.
“Beteja e Serbisë për Kosovën ka hy në fazën e fundit, që në mënyrë të armatosur, mos t’i lë autoritetet e Kosovës dhe shtetin e Kosovës ta kryejnë punën e tyre”.
Ndërkaq, ai potencoi se dosja e plotë e bandave kriminale në pjesën e banuar me shumicë serbe, është paraqitur para ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit, qysh në shtator të vitit 2021.
“Njeriu kryesor i sistemit të drejtësisë prej muajit shtator të muajit të kaluar e ka dosjen e plotë të bandave kriminale të veriut, asnjë veprim hiç”.
“Prej shtatorit të vitit të kaluar, e ka në tavolinë dosjen voluminoze me krejt emrat, me krejt fotografitë, me krejt incizimet e personave kryesorë të cilët e bëjnë organizimin e krimit në pjesën veriore të Kosovës”, shtoi kryekuvendari./Dukagjini/