Një moment pakujdesie i ka kushtuar 220 euro pronarit të një lokali në Zveçan, pasi një person i panjohur ka shfrytëzuar rastin për të vjedhur paratë nga arka, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktimë është V. Ll rreth 33-vjeçar.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur pasditen e 24 korrikut, rreth orës 17:30, në rrugën “Buba Mihajloviq” në Zveçan.
Bazuar në denoncimin e bërë në Polici, lokali ishte i hapur për klientë, por në momentin e incidentit pronari nuk ndodhej pranë arkës. Duke shfrytëzuar këtë situatë, një person i panjohur ka hyrë brenda lokalit, ka marrë 220 euro nga arka dhe është larguar në drejtim të panjohur.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë, të cilët kanë nisur veprimet për identifikimin e autorit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje”, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!