image Pronari i ‘Cakolli Group’ tregon gjendjen e punëtorit që u rrëzua: Ka pasur marramendje, kushtet ishin në rregull

Siguri

Pronari i ‘Cakolli Group’ tregon gjendjen e punëtorit që u rrëzua: Ka pasur marramendje, kushtet ishin në rregull

news image

Ndërtimtaria në Kosovë, mund të jetë sektori më i lehtë për t’u punësuar, por vazhdon të jetë vendi i punës më i rrezikshëm. Rreziku që u kanoset punëtorëve është goxha i madh dhe raste të tilla janë mjaft të shpeshta. Sinjali sonte raportoi për një incident që ka ndodhur në Gjilan, ku një punëtor i kompanisë “Cakolli Group” është rrëzuar nga një lartësi, por fatmirësisht ka shpëtuar.

Policia ka nisur hetimet bashkë me Inspektorët e Punës, ndërkohë që rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe vet pronari i kompanisë, Nexhmedin Haliti.

Ai tha se rasti nuk ka të bëjë asgjë me kushtet e punës, por që sipas tij, punëtori ka pasur marramendje dhe për pasojë është rrëzuar.

Haliti njoftoi se gjendja shëndetësore e punëtorit është stabile, teksa bëri të ditur se është ftuar për të dhënë deklaratë edhe nesër në Polici.

“Po, ka ndodhë sot në mëngjes. Unë jom njoftu prej mjeshtërve. U duk shumë ma shumë ma serioze, e kanë dërgu në Emergjencë tani në Prishtinë. Kom shku derisa është stabilizu. Tash e kanë lëshu prej spitalit. Ka ra prej 2-3 metrave lartësi. Ka pasë shumë panik djali, por fatmirësisht është mirë tani. Kushtet e punës kanë qenë në rregull. Me siguri ka pasur marramendje, por absolutisht nuk ka pasur asgjë me kushte.

Po, kena dhënë deklaratë edhe nesër prapë kam me shku. Kryesorja është që djali ka shpëtu dhe është mirë, tha ai për Sinjalin.  

Punëtori që u lëndua fillimisht është trajtuar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjilanit, e më pas është transferuar në QKUK, për trajtim të mëtutjeshëm.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer ekzaminimet nëse janë plotësuar apo jo kushtet e punës dhe masat e sigurisë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi në vendin e punës”.

/GazetaSinjali/