image Pronarët e autosallonit ‘Elite Premium’ cak i kanosjeve: Njërit ia kërkojnë 500 mijë €, tjetrit ia sulmojnë shtëpinë me armë

Ekskluzive

Pronarët e autosallonit ‘Elite Premium’ cak i kanosjeve: Njërit ia kërkojnë 500 mijë €, tjetrit ia sulmojnë shtëpinë me armë

news image

Pronarët e bizneseve të ndryshme në vend jo rrallëherë janë futur në telashe kryesisht si pasojë e rasteve që lidhen me punën e tyre. Shpesh janë raportuar kanosje serioze, përleshje, detyrim e konflikte të kësaj natyre, që kanë përfunduar si raste në Polici. Si rezultat i një denoncimi të tillë nga pronarët e një autosalloni në Podujevë, Prokuroria Themelore në Prishtinë tashmë ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se viktimë e këtij rasti janë M.F., dhe E.Y., dy nga tre pronarët e autosallonit “Elite Premium Cars” që ndodhet në Podujevë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se për motive akoma të panjohura, të njëjtit janë kanosur në forma të ndryshme, për çka kanë kërkuar ndihmën e Policisë, duke i raportuar dy raste të tilla.

M.F., ka raportuar se ka pranuar një mesazh nga një person, i cili kishte kërkuar një shumë parash duke e kërcënuar, ndërsa E.Y., ka deklaruar se dikush ka gjuajtur në drejtim të shtëpisë së tij, mbi 10 herë me armë zjarri.

Sipas informacioneve që posedon Sinjali, M.F., kishte marrë një mesazh përmes një rrjeti social, ku dikush i kishte kërkuar një shumë të majme parash, prej 500 mijë eurove, duke i dhënë ultimatum se ka 12 orë afat që t’ia dërgojë.

Bazuar në dëshminë e tij, të dhënë para hetuesve policorë, personi që ia kishte dërguar këtë mesazh, ka pasur pseudonimin ‘Rusi’, i cili ndër të tjera edhe e kishte kërcënuar seriozisht. Siç merr vesh Sinjali, ‘Rusi’ e ka paralajmëruar viktimën se do ta pësojë keq në rast se nuk ia dërgon paratë e kërkuar, duke i thënë se “secilit anëtar të familjes iu pret plumbi…”.

Pas dhënies së dëshmisë së tij, është deklaruar edhe pronari tjetër i autosallonit, E.Y., i cili ka deponuar pamjet e kamerave të sigurisë te shtëpia e tij, që dëshmojnë se persona të panjohur kanë gjuajtur në drejtim të shtëpisë së tij, mëngjesin e 19 prillit.

Njësitë policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes dhe kanë mbledhur informacionet që të zbardhet motivi dhe rrethanat e këtyre dy rasteve.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për të identifikuar personat e përfshirë dhe për t’u siguruar prezenca e tyre.

Sinjali ka tentuar të marrë një deklaratë edhe nga pronarët e autosallonit, por personi që është përgjigjur në numrin e tyre kontaktues ka deklaruar se nuk dëshirojnë të flasin për këtë çështje.

Gazeta Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.

/GazetaSinjali/