image Prokurorja Pula: Hera e parë që jam kaq e pakënaqur me punën e prokurorëve të Njësitit Antikorrupsion në Prokurorinë e Prishtinës

Drejtësi

Prokurorja Pula: Hera e parë që jam kaq e pakënaqur me punën e prokurorëve të Njësitit Antikorrupsion në Prokurorinë e Prishtinës

news image

Prishtinë- Prokurorja Laura Pula, në cilësinë e anëtares së Komisionit mbikëqyrës për monitorimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike që rrjedhin nga Plani Strategjik i Sistemit Prokurorial 2022-2024, për periudhën janar-qershor 2022, ka raportuar para anëtarëve të Këshillit, ku tha se është hera e parë që si anëtare e Komisionit është e pakënaqur me punën e prokurorëve të këtij njësiti.

“Është hera e parë që si anëtare e Komisionit jam e pakënaqur me punën e këtyre prokurorëve se nuk e kanë bo punën si duhet për këtë gjashtëmujor”, tha ajo para anëtarëve të Këshillit.

Këtë raportim, prokurorja Pula e ka bërë në takimin 220-të të mbajtur të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas raportit të prezantuar, Pula tha se Njësiti për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 nuk ka kryer 77% të rasteve.

“Nga tërësia e lëndëve të bartura nga ky njësit 99 dhe 95 të pranuara në 195 lëndë në punë për gjashtë muaj, janë kryer vetëm 59 lëndë dhe kanë mbetur 135 lëndë me 257 persona, d.m.th. 77% të rasteve nuk janë kry”, tha Pula.

Prokuroja nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula në raportin e prezantuar tha se kanë dhënë edhe rekomandime, e disa rekomandime janë dhënë edhe për Njësitin, ndër to arritja e normës orientuese.

“Në fund, dua t’i lexoj rekomandimet, Këshilli në pajtim me parimin e llogaridhënies të kërkoi arsyeshmëri për çështjet si në vijim, niveli i arritshmërisë së në normës orientuese në rastet e korrupsionit dhe krimeve ekonomike tek Njësiti Antikorrupsion në Prishtinë”, tha ajo.

Të dhënat e këtij raporti, janë shqetësuese sipas anëtarit të KPK-së, prokurorit Armend Zenelaj.

“Është shqetësuese në këtë raport, Prokuroria Themelore në Prishtinë, është shqetësuese, procedimi i personave 71% hudhje dhe pushim për mu është shqetësuese”, shtoi ai.

Zenelaj iu ka rekomanduar anëtarëve të Këshillit që urgjentisht të ftohet Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë për raportim para Këshillit.

Sipas tij, shqetësuese është edhe moskryerja e asnjë rasti PPN për 6 muaj.

“Si është e mundur asnjë rast PPN të mos përfundojë për 6 muaj, kjo është shqetësuese, çka është tu ndodh, është shqetësuese qysh për 6 muaj mos me u kry asnjë lëndë”, theksoi prokurori.

Sipas anëtarit Zenelaj, në njësit janë veç gjashtë prokurorë dhe asnjë prokuror në njësit nuk e ka arritur 50% të normës dhe se sipas tij në vazhdimësi ky njësit nuk ka treguar rezultate.

Një nga problemet të cilat i ka përmendur prokurorja Pula në raport, është edhe niveli i ulët i ankimimit të rasteve të korrupsionit nga prokurorët.

Në fund, prokurorja Pula tha se nuk ka thënë në raportin e saj se duhet të rritet numri i prokurorëve, por sipas saj duhet të rritet puna e tyre.

“Unë nuk thash që duhet me u rrit numri i prokurorëve, duhet me u rrit puna e tyre, edhe përkundër faktit që Kryeprokurori i ka shpërnda lëndë edhe tek prokurorët e tjerë, nuk kemi rezultate të kënaqshme në këtë 6 mujor nga ky njësit. Për atë edhe reagova se nuk i arsyetoj, përkundrazi thash që nuk ka nevojë me u rrit numri prokurorëve me numrin ekzistues të lëndëve se gjashtë janë kon edhe 2016. Për qeto është edhe rekomandimi që Kryeprokurori me i shiqu rastet e hetimeve bashkë me prokurorë”, tha ajo.

Ndërsa, anëtari i KPK-së, Veton Shabani tha se pret rezultate në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022, pasi sipas tij primare është lufta ndaj korrupsionit.

Në fundm ky raport është miratuar nga anëtarët e Këshillit.

Këshilli ka miratuar edhe raportin e mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për veprat penale karakteristike për periudhën janar-qershor 2022, raport ky që u prezantua nga Valdrin Krasniqi, ushtrues i detyrës së Sekretariatit në KPK.

Anëtarët e Këshillit aprovuan edhe rekomandimin e Komisionit për transferimin dhe avancimin e prokurorëve për avancimin e prokurorit Sadri Alija nga Departamenti Përgjithshëm në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

Po ashtu, gjatë këtij takimi raportuan kryetarët e komisioneve të përhershme të KPK-së për periudhën kohore janar-qershor 2022. Këto raporte, u miratuan nga Këshilli.

Tutje, në këtë takim KPK ka miratuar edhe dokumentin e politikave të trajnimit për prokurorët dhe stafin administrativ të sistemit prokurorial si dhe Planin e nevojave për trajnimin e prokurorëve dhe stafit administrativ.

Këshilli vendosi edhe për kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit për rritjen e numrit të prokurorëve dhe stafit mbështetës, ku u vendos të shpallej konkurs për tre prokurorë në Prokurorinë e Apelit.

Ndërsa, lidhur me kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për avancimin e gjashtë prokurorëve në Departamentin për Krime të Rënda, Këshilli vendosi që fillimisht të bëhej një analizë për nevojën e këtij avancimi, e pastaj të diskutohej si pikë në takimet e ardhshme.

Gjithashtu, KPK gjatë këtij takimi ka miratuar Udhëzimin për Përdorimin e Simboleve dhe Vulave në Sistemin Prokurorial.

Në këtë takim, Këshilli aprovoi kërkesën e prokurores Zana Sadiku për lejimin e pushimit të lehonisë.

Takimi tutje ka vazhduar me dyer të mbyllura.

Ndrysh, gjatë këtij takimi ishte planifikuar të raportonte edhe Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik për periudhën prill – qershor 2022, mirëpo për shkak të një agjende prokurori Shqipdon Fazliu nuk ka mundur të raportojë, prandaj kjo pikë është lënë për takimin e ardhshëm. /BetimipërDrejtësi

/GazetaSinjali/