image Prokurorit që iu dogj makina sot në mëngjes, kishte hetuar rastet më të mëdha

Prokurorit që iu dogj makina sot në mëngjes, kishte hetuar rastet më të mëdha

news image

Në orët e para të mëngjesit të sotëm një sasi tritoli ka shpërthyer në makinën e Albert Kuliçit, zv/drejtues në Prokurorinë e Vlorës. Hetimet e autoriteteve për këtë ngjarje sapo kanë nisur, ndërkohë që puna e Kuliçit si prokuror pritet të jetë pista kryesore ku do të përqendrohen hetimet.

Me shkrirjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për shkak të krijimit të SPAK, kjo çështje do të hetohet nga një prokurori e zakonshme.

Albert Kuliçi, me origjinë nga Tropoja, ka patur në dorë vitet e fundit çështjet më të bujshme në Vlorë, duke filluar nga skandali i madh i tjetërsimit të pronave në Karaburun dhe Zvërnec, ku i përfshirë ishte edhe biznesmeni Pëllumb Petritaj dhe 4 zyrtarë u dënuan me burg, deri te koncesioni i parkingjeve në qytetin bregdetar, i cili u anulua pasi u konstatuan një seri shkeljesh.

Kuliçi ka hetuar edhe një aferë në Albpetrol, si dhe ka kërkuar vendosjen e sekuestros për një pallat 11 katësh në Vlorë, për të cilin u akuzua për shpërdorim detyre ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika.

Prokurori Kuliçi nuk i është nënshtruar ende procesit të vetting-ut.

Vendosja e tritolit në makinën e prokurorit Kuliçi, teksa ajo ishte parkuar, është rasti i dytë brenda një muaji e gjysmë që sulmohet një prokuror, pas rastit të atentatit ndaj Arjan Ndojit në Durrës.

Në emisionin e fundit, Top Story solli një dokumentar mbi të gjitha rastet e sulmeve ndaj njerëzve të drejtësisë në këto 29 vite: “Plumba mbi drejtësinë”