Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit Arbër Sejdiu, si i dyshuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”. Ai bashkë me Dardan Krivaqën, i cili gjendet në arrati, dyshohen për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani, në Ferizaj.
Në një njoftim, Prokuroria thotë se Arbër Sejdiu gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes kur i pandehuri tjetër Dardan Krivaqa ka ushtruar dhune psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës, ku, me këtë rast i njëjti (A.S.) ka kontribuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në kryerjen e veprës penale.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri A.S.,më 22 Gusht 2021, gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes kur i pandehuri tjetër D.K., ka ushtruar dhune psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës, ku, me këtë rast i njëjti (A.S.) ka kontribuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht në vdekjen e të ndjerës, ku më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur, me çka në bashkëkryerje kryen veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 dhe 1.8 me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sejdiu është arrestuar mbrëmë, ndërsa Krivaqa po kërkohet nga Policia e Kosovës. Viktima ishte e martuar me Krivaqën që dy muaj dhe dyshohet se bashkëjetonin.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, ka thënë se i dyshuari Dardan Krivaqa, ka pasur një numër të madh të rasteve dhe ka qenë i dyshuar edhe për vrasje.
“I dyshuari ishte person i njohur me një numër të madh të rasteve, por të gjitha rastet janë të mbyllura. Ka qenë i dyshuar, i akuzuar për vrasje dhe raste të tjera të natyrave të ndryshme penale. Sa i përket personit të dytë është e vërtetë se është ngritur aktakuzë ndaj tij në vitin 2013 për tentim vrasje ende nuk është mbajtur shqyrtimi gjyqësor. Është caktuar 23 shtatori data për këtë”, ka thënë Jashari.
“Në momentin kur Policia ka dërguar foto së bashku me hetimin rajonal, kemi dyshuar në një person që është i njohur, por s’kemi guxuar të flasim derisa e kemi vërtetuar për sa i përket veturës, personi me inicialet A.S. jeton në Zvicër. Tabelat kanë qenë të padeshifrueshme, nuk ishin të sakta. Janë identifikuar shpejt personat. Nuk kemi pasur të paraqitur ndonjë rast që ai ka qenë duke bashkëjetuar me forcë me viktimën”, tha tutje Jashari.