image Prokuroria tregon si do ta ruaj votën e lirë

Kosovë

Zgjedhjet/ Prokuroria tregon si do ta ruaj votën e lirë

news image

Që nga viti 2014 e deri më sot, rreth 2 mijë persona të Kosovës janë përballur me ligjin, për vjedhje të votave dhe keqpërdorimeve në proceset zgjedhore.

Njëzetenjë prej tyre janë dënuar me burg, 42 kanë marrë dënime me gjobë, derisa 1171 persona të tjerë, kanë marrë dënime me kusht.

Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), thonë se nuk kanë të dhëna të sakta për zgjedhjet para vitit 2014, sidomos për zgjedhjet e vitit 2010, ku ndodhën vjedhjet më të mëdha të votave që nga mbarim i luftës.

Përmes një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, KGJK ka sqaruar se çfarë dënime janë shqiptuar deri më tani për personat që kanë vjedhur vota.

“Dënimi me i vogël është me 3 muaj burgim, kurse dënimi me i madh me 6 muaj burgim. 1800 euro është vlera më e lartë e paguar si gjobë nga të dënuarit, ndërsa gjoba më e vogël është 150 euro”, thuhet në përgjigje.

Kodi Penal i Kosovës parasheh veprat penale për çdo kënd që dëmton procesin e votimit, për të cilat vepra dënimi është deri në 5 vjet burg.

Deri më sot në Kosovë askush është dënuar me kaq vite burgim për vjedhje të votës.

Prokurorja Laura Pula, që është edhe koordinatore nacionale për zgjedhje, tha për Radion Evropa e Lirë, se që nga dita kur presidenti do të shpallë datën e zgjedhjeve, do ta angazhohen maksimalisht në ruajtjen e votës së qytetarëve.

“Sipas Kodit Penal, veprat penale parashihen që nga data kur fillon fushata e deri në ditën e numërimit të votave dhe janë të përfshira diku 11 vepra penale që kanë të bëjnë me të drejtën e votimit. Kështu që njëjtë do të jemi aktivë sikurse në zgjedhjet e kaluara, me qëllimin e vetëm që ta mbrojmë votën e lirë të qytetarit”, tha Pula.

Organizatat që merren me monitorimin e zgjedhjeve, por edhe të proceseve gjyqësore, vlerësojnë se proceset zgjedhore në Kosovë që nga pas lufta janë dëmtuar nga partitë politike dhe militantët e tyre.

Votimi i të vdekurve

Hyrije Mehmeti nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë se gjatë monitorimit të zgjedhjeve përgjatë viteve, ka pasur shumë raste kur kanë votuar edhe të vdekurit.

Ajo tha se prokurorët kanë dështuar të nxjerrin para drejtësisë organizatorët e vjedhjes së votës.

“Bazuar në monitorimin e IKD-së, shikuar në tërësi, sistemi i drejtësisë ka vepruar në mënyrë reaktive dhe joproaktive në ndjekjen e rasteve të keqpërdorimeve në zgjedhje. Dhe ajo që është më shqetësuese është se prokurorët kanë dështuar të ndjekin udhëheqësit, organizatorët, shtytësit dhe financuesit e vjedhjes së votave, por janë mjaftuar vazhdimisht me aktakuzat e ngritura ndaj komisionerëve të partive politike”, tha Mehmeti.

Kurse gjykatësit sipas saj, kanë dështuar të trajtojnë këto raste në kohë të arsyeshme.

“Monitoruesit e IKD-së, ende monitorojnë rastet gjyqësore për zgjedhjet e vitit 2010, pra tek pas 8-9 vjetësh kanë filluar disa prej këtyre rasteve të gjykohen”, tha ajo.

Fajin për vjedhjet e votave sipas drejtoreshës së Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Arbresha Loxha, e kanë vetë partitë politike.

“Ne po konsiderojmë që është parimore të ketë dakordim të plotë mes partive politike që asnjëra nuk ka në plan dhe as nuk të do të lejojë të manipulohet procesi zgjedhor. Pavarësisht mobilizimit të institucioneve të Kosovës apo atyre ndërkombëtare dhe organizatave të shoqërisë civile, janë partitë ato që mund ta prishin procesin zgjedhor”, tha Loxha.

Loxha tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet e drejtësisë, duhet të dërgojnë mesazhe të fuqishme se çfarë i pret ata që vjedhin vota.

“Duhet të ketë mobilizim të Policisë dhe Prokurorisë, në kuptim që secila prej këtyre institucioneve të dërgojnë mesazhe të qarta për të gjithë ata të cilët tentojnë të manipulojnë ditën e procesit”, tha Loxha.

Kur Kosova është në prag të organizimit të zgjedhjeve të parakohshme pas shpërndarjes së Kuvendit, anëtarët e shoqërisë civile bëjnë thirrje që të mos dëmtohet demokracia.

Zgjedhjet e parakohshme që pritet të organizohen në muajt në vazhdim, kanë ardhur si pasojë e fillimisht e dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe pastaj, shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.