image Prokuroria Speciale do të dërgojë sot kërkesën për paraburgimin e pesë të arrestuarve për terrorizëm

Drejtësi

Prokuroria Speciale do të dërgojë sot kërkesën për paraburgimin e pesë të arrestuarve për terrorizëm

news image

Pesë persona janë arrestuar dje nga policia e Kosovës pasi të njëjtit po dyshohej se po përgatisnin sulme terroriste në Kosovë. Gazeta Sinjali ka raportuar se katër nga të arrestuarit janë Ardian Qerkinaj, Mentor Bellaqa, Ergim Syla dhe Nehrudin Skenderi.

Kurse gjatë ditës së sotme pritet që Prokuroria Speciale të dërgoj kërkesën për paraburgimin e pesë të dyshuarve.

Këtë për Sinjalin e ka konfirmuar Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Kujtojmë se nga burimet Sinjali ka mësuar se Qerkinaj jeton në lagjen “Dardania” në Pejë dhe se dje pas orës 13:30 është bllokuar lagjja dhe është kryer bastisja.

Gjithashtu, Sinjali ka mësuar se Qerkinaj ka qenë pjesë e grupit në Siri para disa vitesh. Por ende nuk është e qartë nëse të arrestuarit kanë lidhje me ISIS-in ose organizatat tjera terroriste.

Kurse, burimet e Sinjalit kanë njoftuar se i dyshuari tjetër, Mentor Bellaqa, u arrestua në Prizren, rreth orës 15:00, bashkë me një të dyshuar tjetër për këtë rast.

Bellaqa ka qenë i arrestuar në vitin 2014, si një nga të dyshuarit që kanë qenë pjesë e luftës në Siri.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se gjatë bastisjes janë gjetur materie eksplozive, armë të zjarrta dron, si dhe armë anti-tankë.

Gjithashtu, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit persona kanë kryer veprat penale “Përgatitja e veprave Terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 138 paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me  veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129 paragrafi 1lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”  nga neni 364  paragrafi 2 i KPRK-së”, thuhet nga prokuroria.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/