image Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj një personi për veprën penale trafikimi me njerëz në Gjakovë

Drejtësi

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj një personi për veprën penale trafikimi me njerëz në Gjakovë

news image

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.P, për veprën penale “Trafikimi me njerëz’’.

Gazeta Sinjali raportoi në shkurt të këtij viti ku pas një hetimi të Njësisë së Hetimit të Trafikimit me Qenie Njerëzore në Gjakovë për një rast të “Trafikimit me njerëz”, kishte rezultuar me identifikimin edhe të një personi të dyshuar dhe viktimës që dyshohet se u shfrytëzua. I dyshuari ka përfunduar në prangat e Policisë.

Siç kishte mësuar Sinjali, personi i arrestuar lidhur me këtë rast ishte Arlind Pepaj, 44-vjçar, ndaj të cilit ishte urdhëruar masa e ndalimit policor.

Të njëjtat burime thanë se Pepaj po dyshohej se është i përfshirë në trafikimin e një vajze të moshës 22-vjeçare.

Sipas informacioneve të para, Pepaj dyshohej për trafikimin e viktimës me anë të kanosjes, përdorimit të forcës, mënyrës së përfitimit përmes punës së detyruar dhe veprime të tjera të dhunshme, kontrolluese të përcjella me maltretim fizik dhe psikik me qëllim shfrytëzimi.

E prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Njoftimi:

Gjakovë, 4 nëntor 2024 – Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit A.P., për veprën penale “Trafikimi me njerëz’’ nga neni 165 par.1 të KPRK-së. 

Sipas aktakuzës ndër tjera cekët se i pandehuri A.P., nga muaji marsi i vitit 2021, e deri me datë 30.01.2024, në Gjakovë, merr pjesë në trafikimin me njerëz me anë të kanosjes, përdorimit të forcës, mënyrës së përfitimit përmes punës së detyruar dhe veprime të tjera të dhunshme, kontrolluese të përcjella me maltretimin fizik dhe psikik me qëllim shfrytëzimi  për përfitim ndaj të dëmtuarës A.V.

Me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penale “Trafikimi me njerëz’’ nga neni 165 par.1 të KPRK-së.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

/GazetaSinjali/