Më 18 maj u publikuan disa pamje të një rrahje brutale në qendrën tregtare “Albi Mall” në Prishtinë, ku një person nga sigurimi i kësaj qendre grushtoi e shqelmoi një qytetar për mosbartje të maskës.
Sipas njoftimit, lidhur me këtë rast Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndalojë të dyshuarin për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “lëndim i rëndë trupor” si dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, ju njofton se me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar personin me inicialet E.N., me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor”, nga neni 186 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, ju njoftomë se nga pranimi i informacionit për një incident i cili ka ndodhur në qendrën tregtare “Albi Mall”, prokurori kujdestar nga ky departament ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, në mënyrë që të sqarohet ky rast në plotëni.
Pas sigurimit të video-incizimit, si dhe pranimit të raportit mjekësor të personit me inicialet A.M., Prokurori i Shtetit, ka autorizuar policinë për ndalimin e të dyshuarit E.N., lidhur me veprën penale të lartcekur.
I dyshuari, me aktvendim të prokurorit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet në njoftim e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Gazeta Sinjali raportoi para disa ditësh se Prokuroria Themelore kishte marrë vendim që i njëjti të lirohet dhe rasti të inicohet në procedurë të rregullt./Gazeta Sinjali/