image Prokuroria kërkon të dhëna për seancën e Kuvendit të RS-së nën dyshimet për "sulm ndaj rendit kushtetues"

Rajon

Prokuroria kërkon të dhëna për seancën e Kuvendit të RS-së nën dyshimet për “sulm ndaj rendit kushtetues”

news image

Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës i ka dërguar një kërkesë Kuvendit të Republikës Sërpska (RS) dhe kryetarit të këtij institucioni, Nenad Stevandiq, për dorëzimin e informacionit dhe ofrimin e detyrueshëm të ndihmës ligjore dhe bashkëpunimit zyrtar.

Nga Kuvendi i RS-së dhe Stevandiq kërkohet që urgjentisht t’i dorëzojnë dokumentet zyrtare që lidhen me thirrjen e Kolegjiumit të Kuvendit të RS-së, si dhe të gjitha dokumentet shoqëruese me propozimet e rendit të ditës për seancën e veçantë të Kuvendit të RS-së më 24 dhjetor.

Kuvendi i Republikës Sërpska (RS) do të shqyrtojë të martën, më 24 dhjetor, në një seancë të veçantë, “informacionin mbi shkatërrimin e sistemit ligjor në Bosnjë e Hercegovinë nëpërmjet shkeljes së Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit”.

Kjo kërkesë, siç thuhet, bazohet në Ligjin për Procedurën Penale të Bosnjë e Hercegovinës dhe të dhënat e disponueshme që tregojnë dyshime për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë “Marrëveshjen për kryerjen e veprës penale”, “Përgatitjen e veprës penale” dhe “Sulmin ndaj rendit kushtetues”.

Prokuroria ka theksuar dyshime edhe për vepra të tjera penale, si “Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, si dhe “Pengimi i zyrtarëve në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Para deputetëve është gjyqi ndaj Millorad Dodikut, president i RS-së, i cili cilësohet si një proces “politikisht i sajuar”, raporton REL.

“Seanca lidhet edhe me ligjin sipas të cilit po gjykohet presidenti i RS-së, i cili është imponuar nga përfaqësuesi i lartë. Vendimet e imponuara nga Schmidt kërcënojnë që Bosnjë e Hercegovina të funksionojë sipas ligjeve të përfaqësuesit të lartë dhe jo sipas vendimeve të institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës”, tha Nenad Stevandiq, kryetar i Kuvendit të RS-së më 23 dhjetor.

Ai shtoi se para mbledhjes së Kuvendit do të përgatiten propozime për përfundime, pa dhënë detaje nëse ndonjë prej tyre do të lidhet me gjyqin ndaj Dodikut.

/GazetaSinjali/