Gazeta Sinjali ka siguruar ekskluzivisht kërkesën katërfaqëshe të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit, që hedh dritë mbi një rast alarmant të kontrabandës me barna medicinale dhe produkte të rrezikshme mjekësore. Në këtë rast dyshohen të jenë përfshirë një tregtar i njohur nga Prizreni dhe dy shtetas të Turqisë – babë e bir, të cilët po hetohen për veprimtari të organizuar kriminale me pasoja të rënda për shëndetin publik.
Operacioni u zhvillua më 2 maj në Fushë Kosovë, ku policia ndaloi dy vetura luksoze të modifikuara posaçërisht për fshehje të barnave. Brenda tyre u zbuluan sasi të mëdha të barnave pa dokumentacion ligjor, të futura me qëllim përfitimi financiar përmes shmangies së detyrimeve doganore.
Të dyshuarit janë: Kujtim Fetoshi, rreth 65-vjeçar nga Prizreni – tregtar i njohur, me të kaluar ekonomike të vështirë, Abdullah Zeki Zerener 54-vjeçar, shtetas i Turqisë – inxhinier në pension dhe Atakan Zerener, rreth 23-vjeçar – student, djali i Abdullah Zerenerit.
Por, edhe një doganier tjetër është arrestuar, ndaj të cilit po mbahet seanca, por e ndarë nga të tjerët, (Sinjali mëson se bëhet fjalë për një serb, emër i njohur për redaksinë).
Sipas kërkesës së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar Sinjali, më 2 maj 2025 rreth orës 10:30, Njësia policore në Fushë Kosovë ka ndaluar dy automjete të tipit “Audi A6” dhe “Volkswagen Touran”.
Prokuroria pretendon se: Vetura e parë me targa vendore ishte e drejtuar nga Ramit Krasniqi, i cili ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me të dyshuarit, në veturën tjetër kanë qenë të ulur të dy shtetasit turq dhe Kujtim Fetoshi, të cilët dyshohet se po transportonin barna me origjinë të dyshimtë, pa dokumentacion ligjor, dhe me qëllim të shmangies së detyrimeve doganore.
Në kërkesën e Prokurorisë përfshihen prova konkrete: Procesverbalet e marrjes në pyetje të të dyshuarve më 2 maj, dëshmia e Ramit Krasniqit, sekuestrimet e barnave dhe raporte të njësisë së Forenzikës, raporti i Inspektoratit Farmaceutik, ku listohen të gjitha llojet e barnave të sekuestruara, raporti i oficerit Xheved Sadikaj për rastin dhe fotoalbum nga vendi i ngjarjes i realizuar nga Forenzika.
Në kërkesë thuhet qartë se ekziston rrezik real i arratisjes, veçanërisht për Abdullah dhe Atakan Zerener, që janë shtetas të Republikës së Turqisë dhe nuk kanë qëndrueshmëri në Kosovë. Gjithashtu, theksohet se mund të ndikojnë në dëshmitarët, përfshirë dëshmitarin kyç Ramit Krasniqi, i cili ende nuk është intervistuar nga Prokuroria.
Pesha e veprës penale, mënyra dhe rrethanat e kryerjes së saj, sipas Prokurorisë, e bëjnë të papërshtatshme çdo masë tjetër përveç paraburgimit, duke pasur parasysh rrezikshmërinë dhe organizimin e veprimeve për të futur barna në mënyrë të jashtëligjshme në Kosovë, përmes modifikimit të mjeteve transportuese dhe shmangies së dokumentacionit ligjor.
Në fund të dokumentit, Prokurori i Shtetit Rukije Sheshivari vlerëson se vetëm masa e paraburgimit garanton zhvillimin e procedurës pa pengesa dhe parandalon përsëritjen e veprës penale.
Seanca dëgjimore për caktimin e paraburgimit është duke u zhvilluar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndërsa Gazeta Sinjali ndodhet në vendngjarje dhe do të raportojë në kohë reale për vendimin e gjykatës dhe çdo zhvillim tjetër lidhur me këtë rast me elemente të qarta të krimit të organizuar ekonomik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!