image Prokuroria jep detaje për arrestimin e kryeshefit të KPM-së, tregon se për çka po dyshohet

Siguri

Prokuroria jep detaje për arrestimin e kryeshefit të KPM-së, tregon se për çka po dyshohet

news image

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka dhënë detaje lidhur me arrestimet në Komisionin e Pavarur të Mediave, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali raportoi sot për arrestimin e kryeshefit të KPM-së, Luan Latifit dhe drejtorit të Administratës dhe Financave në këtë institucion të pavarur, Arben Bilallit.

Sipas prokurorisë, Latifi dhe Bilalli dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim” dhe “Marrje të ryshfetit”.

Prokuroria njofton se Latifi është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas argumentimit të ndërlidhjes, është vlerësuar dyshimi i bazuar se, si person me përgjegjësi ekzekutive në KPM, ka qenë në dijeni të qartë për kushtëzimet.

Me këto veprime, Latifi dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 të KPRK-së në bashkëkryerje me të dyshuarin Arben Bilalli të arrestuar dje më 29.06.2021, nga Policia e Kosovës dhe veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së, pasi të njëjtit dyshohet se nuk kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare me këtë rast duke keqpërdor pozitën apo autoritetin zyrtar kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

I dyshuari Luan Latifi me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Po ashtu njoftohet se ndaj të dyshuarit Arben Bilalli, prokurori i çështjes ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/