image Prokuroria jep detaje për aksionin me nëntë të arrestuar për krim të organizuar e shpëlarje parash

Siguri

Prokuroria jep detaje për aksionin me nëntë të arrestuar për krim të organizuar e shpëlarje parash

news image

Nëntë persona janë arrestuar të mërkurën gjatë një operacioni të gjerë të përbashkët të Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës, Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës, nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar, shpëlarje parash, kontrabandë dhe shmangie nga tatimi.

Me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë janë kontrolluar 21 lokacione të ndryshme, ndërsa gjatë aksionit janë arrestuar personat me inicialet F.M., F.M., M.M., S.K., N.B., D.M., A.M., N.M. dhe G.Q.

Gjatë bastisjeve, autoritetet kanë sekuestruar 15 mijë euro para të gatshme, pesë vetura, pesë autobotë për transportin e derivateve të naftës, dy armë zjarri, 54 fishekë, pajisje elektronike, dokumente të ndryshme, si dhe prova të tjera që lidhen me rastin.

Po ashtu, janë sekuestruar edhe 301 euro në kartëmonedha prej dy eurosh, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Sipas Prokurorisë Speciale, të dyshuarit ngarkohen për veprat penale të shpëlarjes së parave, kontrabandimit të mallrave në bashkëkryerje, pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, përdorimit të dokumenteve të rreme lidhur me tatimin dhe shmangies nga tatimi.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se të arrestuarit kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke përdorur dokumente të rreme tatimore dhe duke kryer shitje e transaksione fiktive me derivate të naftës.

Institucionet kanë bërë të ditur se operacioni është zhvilluar në kuadër të veprimeve procedurale hetimore, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/