image Prokuroria e Lartë Publike në Beograd njofton se e ka marrë në pyetje Radoiçiqin, tregon për çka dyshohet

Politikë

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd njofton se e ka marrë në pyetje Radoiçiqin, tregon për çka dyshohet

news image

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se ka marrë në pyetje Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.

Në njoftim thuhet se ai u intervistua nën dyshimet se me disa persona të panjohur kanë kryer vepra penale që lidhen me “prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse” si dhe me “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.

Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi më herët se ka kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Radoiçiqit dhe se atij i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

MPB-ja serbe tha se Radoiçiq u dërgua në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal, por nuk dha më shumë detaje.

Më 29 shtator, Radoiçiq, përmes një letre të lexuar nga avokati i tij, Goran Petronijeviq, mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.

Në këtë fshat të komunës së Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – por dha dorëheqje nga kjo pozitë në ditën kur mori përgjegjësinë për sulmin.

Më 30 shtator, siç njoftoi MPB-ja e Serbisë, ai dha deklaratë “në cilësinë e qytetarit” për “rrethanat e ngjarjes tragjike në Banjskë”.

Atë ditë u tha se Prokuroria e Lartë Publike në Beograd do të ndërmarrë masa dhe veprime të mëtutjeshme procedurale në kompetencë të saj.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 29 shtator se autoritetet përgjegjëse të Kosovës, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksionit terrorist” në Banjskë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës konfirmoi se ka nisur hetimet për sulmin në Banjskë dhe se, aktualisht, është në proces të mbledhjes së informatave dhe dëshmive në lidhje me këtë rast.

/GazetaSinjali/