image Prokuroria e konfirmon, i dyshuari për dhunimin e mbesës së mitur ndalohet për 48 orë - kërkohet paraburgim

Drejtësi

Prokuroria e konfirmon, i dyshuari për dhunimin e mbesës së mitur ndalohet për 48 orë – kërkohet paraburgim

news image

Një rast i tmerrshëm që dyshohet se ndodhi në një familje në Vrellë të Istogut vitin e kaluar, është zbuluar gjatë ditës së djeshme. Gazeta Sinjali raportoi se si një 39-vjeçar është arrestuar dhe ndaluar, nën dyshimet se ka dhunuar mbesën e tij të mitur. Ky rast i rëndë u zbulua pas denoncimit të vajzës, e cila ka rrëfyer para hetuesve policorë çdo detaj të rastit, që e tronditi gjithë familjen e tyre.

I dyshuari Istref Mavraj tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor dhe së shpejti ndaj tij pritet të bëhet edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Një person është ndaluar nën dyshimet për veprën penale Dhunimi. Prokurori e ka ndaluar të njëjtin për 48 orë, por për shkak të problemeve shëndetësore ai gjendet në spital. Prokurori i Shtetit do të bëjë kërkesë brenda afatit ligjor për caktimin e masës së paraburgimit”, tha Nikçi për Sinjalin.

Ai po dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me mbesën e tij, e cila vitin e kaluar i bie se ka qenë në moshën 14-vjeçare. Ndonëse ende nuk dihen detaje të sakta për rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar arrestimin dhe ndalimin e tij.

Siç mëson Sinjali, i njëjti është prangosur dhe shoqëruar në stacion policor, por për shkak të gjendjes shëndetësore nuk është dërguar në Qendrën e Mbajtjes, por është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, ku gjatë kësaj periudhe do të jetë nën përkujdesjen e Policisë teksa merr trajtim mjekësor në spital.

Sipas të njëjtave burime, tash për tash rasti është iniciuar nga Prokurori i Shtetit si “Dhunim”, ndërsa pritet që veprimet e tjera të merren brenda afatit ligjor.

Gazeta Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e këtij rasti.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/