image Prokuroria bllokoi për tri vjet kallëzimin penal ndaj mjekëve të Spitalit Amerikan

Kosovë

Skandal/ Prokuroria bllokoi për tri vjet kallëzimin penal ndaj mjekëve të Spitalit Amerikan

news image

Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka mbajtur në sirtarë plot tri vjet një kallëzim penal të ushtruar ndaj mjekëve të Spitalit Amerikan në Prishtinë.

Prokurori i ngarkuar me këtë çështje, Ibrahim Fejza e ka bllokuar këtë lëndë duke mos ndërmarr asnjë veprim juridik, në kundërshtim me afatet ligjore që parashihen me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, shkruan Sinjali.

Kallëzimi Penal ishte ushtruar më 19 gusht të vitit 2016, për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor ndaj dy mjekëve të Spitalit Amerikan, specialistit në kirurgjinë e përgjithshme, Sabri Tmava endoskopist dhe mjekut specialist me shtetësi turke, Ugur Gozalan.

Ushtruese e këtij kallëzimi është një ish deputete e Kuvendit të Kosovës e cila ishte trajtuar në këtë institucion privat shëndetësor.

Në kallëzimin penal thuhet se ndaj të dëmtuarës, mjekët Tmava e Gozalan, gjatë ushtrimit të detyrës, me veprimet dhe mosveprimet e tyre gjatë ndërhyrjes kirurgjike, më datë 08 janar 2016  kanë përdorur metodën e papërshtatshme mjekësore dhe nuk kanë ndërmarr veprimet e duhura mjekësore, ku për pasojë,  të dëmtuarës i është keqësuar rëndë shëndeti dhe i është rrezikuar jeta.

Për më tepër, pacientja, emër i njohur për redaksinë, ishte lëshuar nga Spitali Amerikan në ditën e gjashtë pas operacionit me konstatimin se është në gjendje të mirë shëndetësore përkundër se pacientja pas operimit kishte përjetuar dhimbje të tmerrshme duke humbur drastikisht në peshë.

Ish deputetja, në këtë rast pacientja kishte vizituar dhe telefonuar vazhdimisht mjekët Sabri Tmava e Ugur Gozalan dhe u kishte sqaruar për gjendjen e rënduar shëndetësore, por siç shkruhet në Kallëzimin Penal, të njëjtët kanë përdorë metodë të papërshtatshme mjekësore për trajtimin e pasojave dhe dhënien e terapisë së gabuar mjekësore, shkruan Sinjali.

Të dëmtuarës, kjo gjendje i kishte zgjatur për rreth dy muaj derisa ishte detyruar të bënte ndërhyrjen e fundit kirurgjike në një spital në Podgoricë ku edhe ishte shëruar. Në fletlëshimin e këtij spitali rajonal, mjekët kanë konstatuar se pacientja ishte dëmtuar gjatë ndërhyrjes kirurgjike që kishte bërë më herët në Spitalin Amerikan në Kosovë gjë që ka rezultuar me keqësim të shëndetit të së dëmtuarës dhe rrezikim të jetës së saj.

E tërë kjo histori rrëqethëse njerëzore e mbështetur në dokumente faktike përmes Kallëzimit Penal është injoruar për plot tri vjet nga prokurori Ibrahim Fejza i cili e ka neglizhuar këtë rast duke mos ndërmarr asnjë veprim juridik. Ende nuk dihet nëse ky mosveprim është bërë për shkak të ndërhyrjeve të mundshme për mos aktivizimin e këtij kallëzimi nga mjekët e Spitalit Amerikan ose me qëllim të zvarritjes dhe parashkrimit të lëndës.

Sipas, Mendimit Juridik të Kolegjiumit të Gjykatës Supreme të datës 29 shtator 2016, prokurori i shtetit brenda 30 ditësh duhet të vendos: për informacione shtesë për aplikimin e masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit, hedhjen e kallëzimit penal apo për fillimin e hetimit.

Por, ky mendim juridik i bazuar në Kodin e Procedurës Penale është shpërfillur nga prokurori i çështjes prej vitit 2016-të.

Pas inicimit të kësaj çështje nga Sinjali, së fundi më datën 19 gusht 2019, prokurorja Fikrije Sylejmani e cila kishte pranuar lëndën në prill të këtij viti nga prokurori Ibrahim Fejza, ka nxjerr aktvendim mbi fillimin e hetimeve  ndaj të pandehurve sipas kallëzimit penal. /Sinjali/