image Prokuroria autorizon Policinë për verifikimin e skandalit të 25 vilave në Stankaj të denoncuar nga Peci

Drejtësi

Prokuroria autorizon Policinë për verifikimin e skandalit të 25 vilave në Stankaj të denoncuar nga Peci

news image

Pas publikimit të skandalit me ndërtimin e rreth 25 vilave në prona të Institutit Bujqësor të Kosovës në Joshanicë të Komunës së Pejës respektivisht në Stankaj nga ministri i Bujqësisë Faton Peci, kanë nisur hetimet nga porkuroria e policia.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës Shkodran Nikqi, tha për Gazetën Sinjali, se PTHP-ja ka filluar ndërmarrjen e veprimeve, ku ka autorizuar Policinë për t’i verifikuar pretendimet e paraqitura në opinionin publik për pronat në fjalë.

Gazeta Sinjali ka raportuar ditë më parë se ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci kishte publikuar skandalin me ndërtimin e 25 vilave në Stankaj.

Ministri kishte denoncuar se: fatkeqësisht nuk është abuzuar vetëm në kategorinë e subvencioneve dhe granteve. Skandalet dhe abuzimet më të mëdha na dalin të jenë tek menaxhimi i pronave.

Sipas Pecit rast tejet abuziv e shkatërrues për pronën publike është ndërtimi i rreth 25 vilave, prej tyre një numër i konsiderueshëm ndërtime të vrazhda në prona të Institutit Bujqësor të Kosovës në Joshanicë të Komunës së Pejës respektivisht në Stankaj.

Ai më tej shtoi se në gjithë këtë katrahurë është i pashpjegueshëm mos-veprimi në radhë të parë i Ministrisë së Bujqësisë për një dekadë, mungesa e vullnetit të ministrave të kaluar për ta çuar më tutje këtë çështje, inspektorëve të ndërtimit në nivel të Komunës së Pejës të cilët nuk kanë marrë parasysh as elementet bazike.

“Andaj, për të gjitha këto veprime të kundërligjshme, ftoj Prokurorinë e Shtetit që të vihet në shërbim të zbardhjes së këtyre rasteve abuzive sepse adresimi i këtyre problemeve të shtresuara, nuk zgjidhet vetëm me adresime administrative”, tha Peci.

/GazetaSinjali/