image Prokurori Rafet Halimi ia 'huq' me aktakuzën për 'Subvencione', Gjykata ia kthen në plotësim e korrigjim

Drejtësi

Prokurori Rafet Halimi ia ‘huq’ me aktakuzën për ‘Subvencione’, Gjykata ia kthen në plotësim e korrigjim

news image

Aktakuza e ngritur nga prokurori Rafet Halimi ndaj 21 të dyshuarve për rastin “Subvencionet”, është kthyer për plotësim dhe korrigjim nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Për shkak të ‘huqjes’ së prokurorit të çështjes në hartimin e aktakuzës, gjykata ka vendosur të anulojë seancën e paraparë të mbahet më 9 mars, raporton Gazeta Sinjali.

Kryetari i trupit gjykues në Departamentin Special, Kujtim Krasniqi, ka gjetur se aktakuza e ngritur më 22 shkurt nga prokurori Rafet Halimi nuk është e hartuar në plotni me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës dhe si e tillë duhet të kthehet për plotësim dhe korrigjim. Sipas njoftimit zyrtar të lëshuar nga kryetari i trupit gjykues, meqë lënda për këtë rast është voluminoze, për shkak të numrit të madh të të akuzuarve dhe të provave, nuk është caktuar datë tjetër për mbajtjen e seancës.

Prokurori Rafet Halimi shquhet për shndërrimin e të akuzuarve në dëshmitarë bashkëpunues dhe kjo mënyrë e të hetuarit është parë nga profesionistët si formë shantazhi ndaj të arrestuarve të tjerë që po mbahen në paraburgim.

Ata që kanë bashkëpunuar me prokurorinë, apo siç po i referohen të paraburgosurit të tjerë, që po spiunojnë për prokurorit, kanë pranuar fajësinë dhe janë liruar nga masa e paraburgimit, duke u shndërruar kështu në dëshmitarë bashkëpunues.

Sinjali ka raportuar edhe më parë se kjo është bërë vetëm e vetëm për të dalë nga masa e paraburgimit, meqë ky është kushti i imponuar nga prokurori i çështjes.

Një veprim i tillë është i kundërligjshëm dhe nxitë personat e arrestuar që të shpikin e shpifin për t’i siguruar vetes lirinë.

/GazetaSinjali/