Tetë çekët e arrestuar gjatë ditës së djeshme janë liruar nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorit të Shtetit. Arrestimi i tyre kishte ardhur për shkak se kishin planifikuar ta provokonin situatën në Kosovë duke lëshuar përmes dronit flamuj dhe fjalë nacionaliste serbe.
Dyshimet e para janë se në ndeshjen e sotme mes Kosovës dhe Çekisë do të lëshohej droni ku do të barte flamurin “Kosova është Serbi”/
“Nga ana e policisë të njëjtit janë shoqëruar në Stacionin policor në Ferizaj-Sektori i hetimeve rajonale për intervistim dhe verifikimin e qëllimit të ardhjes së tyre në Kosovë. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, me urdhër të tij, janë konfiskuar përkohësisht dokumentet e udhëtimit si dhe të gjitha pajisjet e gjetura tek ta dhe të njëjtit të lirohen në procedurë të rregullt”.
“Nga njësiti i migrimit , personave ju është dorëzuar ftesa zyrtare që me datë 07.09.2019 të paraqiten në këtë njësi për procedura të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht gjatë ditës së djeshme për tetë çekët e arrestuar të cilët janë: Jan Zorabiç, Tereza Honkova, Jan Stiler, Jakub Grus, Filip Çervenka, Nikola Zborilova.
Burime të sigurta të Sinjalit nga Policia e Kosovës, kanë bërë të ditur se ky grup kishte qenë nën përcjelljen e Policisë së Kosovës pas informatave për vepra të dyshimtë.
Behet e ditur se ky grup ka qenë në përcjellje të policisë për një kohe dhe se të njëjtit kanë synuar t’i kamuflojnë veprimet e tyre duke u paraqitur si përfaqësues të organizatave ndërkombëtare
Në anën tjetër Policia e Kosovës për Sinjalin ka konfirmuar se nga çekët janë konfiskuar një flamur i Serbisë, një flamur anti-kombëtarë, një dron, një kamerë, dy radiolidhje dhe gjashtë thika të vogla.
“Mund të konfirmojë se një aksioni i Policisë së Kosovës gjatë ditës së sotme janë arrestuar 8 shtetas nga Çekia të cilëve u janë konfiskuar një flamur i Serbisë, një flamur anti kombëtarë, një dron, një kamerë, dy radiolidhje dhe gjashtë thika të vogla. Dyshimet janë se do t’i përdornin këto mjete në ndeshjen e Kosovës me Çekinë. Aktualisht personat janë duke u intervistuar”, ka deklaruar Mehmetali Hajdini zyrtar për informim nga Policia e Kosovës për Sinjalin.
Sipas dyshimet ky grup kishte planifikuar që dronin me flamurin serb dhe me flamurin provokues “Kosova është Serbi” të shfaqej në ndeshjen e sotme mes Kosovës dhe Çekisë.