image Prokurori Maloku flet për Sinjalin: Shtatë vila janë sekuestruar në Brezovicë, numri pritet të shkojë në 80

Siguri

Prokurori Maloku flet për Sinjalin: Shtatë vila janë sekuestruar në Brezovicë, numri pritet të shkojë në 80

news image

Prokuroria Themelore e Ferizajt është duke zhvilluar një aksion në zonën e dytë të Parkut Kombëtar “Sharri”, ku pritet të bëhet sekuestrimi i vilave që dyshohet se janë ndërtuar jashtëligjshëm. Gazeta Sinjali raportoi pak më parë se dy vila janë sekuestruar, derisa tashmë ky numër është rritur.

Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin prokurori i rastit, Rasim Maloku, i cili njoftoi se shtatë objekte janë sekuestruar, derisa numri total pritet të shkojë në 80.

“Po ka nisur aksioni i cili është duke u zhvilluar bashkë me Policinë e Kosovës. Do të bëhet sekuestrimi i të gjitha objekteve të ndërtuara në zonën e dytë. Deri në këto momente janë sekuestruar 8 objekte, teksa pritet të bëhet sekuestrimi i 80 të tilla.”, tha Maloku për Sinjalin.

Për rastin “Brezovica” në muajin mars të këtij viti janë arrestuar shtatë persona, tre ish-zyrtarë të Ministrisë se Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër persona, pronarë të kompanive private.

Edhe në fund të dhjetorit 2021, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratislav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Autoritetet dyshojnë se Nikoliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq kërkohet nga autoritetet në Kosovë për dyshime se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në çështjen e njohur si “Brezovica”.

Autoritetet e gjyqësisë dhe rendit në Kosovë, në muajin janar kishin njoftuar se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të pandehurit e përfshirë në rastin e njohur si “Brezovica”.

Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit. Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.

/GazetaSinjali/