Gjatë seancës së sotme në gjykimin ndaj Ikballe Berisha-Hudutit, e akuzuar për shtytje në terrorizëm, prokurori ka kërkuar dënimin e saj, ndërkaq mbrojtja e saj ka kërkuar lirimin e saj, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas prokurorit gjatë seancave gjyqësore pa mëdyshje është vërtetuar se e akuzuara Berisha-Huduti e ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.
Ai ka thënë se, gjendja faktike si në aktakuzë është vërtetuar nga provat materiale të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Prokurori ka kërkuar nga gjykata që e akuzuara Berisha-Huduti të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.
Mbrojtësja e të akuzuarës Berisha-Huduti, ka thënë se kjo çështje ka të bëjë me një keqkuptim lidhur me një postim në rrjetet sociale, e assesi sipas saj nuk ka të bëjë me ndonjë me thirrje për hakmarrje apo çfarëdo veprimi i cili do të paraqiste veprim inkriminues, e aq më pak shtytje në terrorizëm.
Ajo ka thënë se e akuzuara Berisha-Huduti në mendimin e saj të lirë e ka interpretuar një ajet kuranor, e që sipas saj kurrsesi nuk ka bëjë me thirrje për hakmarrje në kuptim të shtytjes apo nxitjes për veprime terroriste.
Mbrojtësja e Berisha-Hududitit ka thënë se në rastin konkret bëhet fjalë vetëm për ideologji fetare, e cila nuk është e ndaluar as e ndëshkueshme, por është e lejuar me Kushtetutë.
Tutje, avokatja ka deklaruar se aktakuza është ngrit më tepër për të konfirmuar karshi shteteve botërore se ne e luftojmë terrorizmin dhe terrorizimi është i pa pranueshëm për popullin kosovar.
Pas kësaj, ajo nga gjykata ka kërkuar që të akuzuarën Berisha-Huduti ta lirojë nga akuza në mungesë të provave, pasi sipas saj marrja e aktgjykimit lirues është vendosje e drejtësisë.
E akuzuara Berisha-Huduti fjalën e saj përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, si dhe e ka mbështetur fjalën përfundimtare të avokates së saj, raporton Betimi për Drejtësi.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 shtator 2020, Ikballe Berisha-Huduti akuzohet se më 4 janar 2020, përmes rrjetit social “Facebook” kishte postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese, duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes nga ushtria amerikane e Qassem Solejmani-gjeneral dhe udhëheqës i gardës revolucionare të Iranit dhe gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. /GazetaSinjali/