Prokurori i rastit Ilaz Beqiri në një përgjigje ka thënë se dyshohet se tre persona janë përfshirë në të shtënat me armë zjarri në “Mati 1”, sot në Prishtinë.
“Dy persona janë arrestuar më herët, ndërsa edhe një person i cili ka qenë i plagosur dhe ndodhet në Klinikën Emergjente, dyshohet se ka kryer vepër penale, mund të konsiderohet i arrestuar”, ka thënë Beqiri për KP.
Më herët Bajram Krasniqi, zyrtar për media në Policinë e Kosovës, ka konfirmuar se gjatë të shtënave me armë zjarri sot në lagjen “Mati 1”, një zyrtar policor ka intervenuar në arrestimin e njërit nga të dyshuarit që ka gjuajtur me armë.
Sipas Krasniqit, nuk dihet nëse i njëjti ka gjuajtur edhe me armë.
“Ka qenë kalimtar rasti, jashtë detyrës. Si kalimtar rasti ka hasur në ngjarje dhe ka intervenuar dhe njëri nga të dyshuarit, i cili ka përdorur armën e shkurtër, është arrestuar nga polici, i cili ka qenë kalimtar rasti. Nuk dihet ende nëse i njëjti ka përdorur armën”, ka thënë Krasniqi.
Ndryshe, dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Dëshmitarët thanë se në konflikt ishin përfshirë dy familje, për shkak të një kontesti pronësor. Fillimisht, janë plagosur katër persona, por që më vonë dy prej tyre ndërruan jetë në QKUK nga plagët e marra.
Policia ka bërë të ditur se janë arrestuar dy persona lidhur me rastin, por nuk ka dhënë ende motivet që çuan deri te ngjarja tragjike.